2014-07-24 12:42:09

Mesazh i Papës për 50 vjetorin e shenjtërores së Shën Pantaleonit


Afërsi në lutje e mirënjohje u shpreh Papa Françesku besimtarëve dhe shtegtarëve, që të dielën e ardhshme, më 27 korrik, do të mblidhen në lagjen Mataderos të Buenos Ajresit, për të kremtuar 50 vjetorin e shenjtërores së Shën Pantalenonit. Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë kujton rastet, në të cilat ai vetë ka shkuar në këtë shenjtërore, për të ndihmuar meshtarët në rrëfime. “Kthehesha në shtëpi i përforcuar shpirtërisht nga dëshmia e fesë – pohon. Nuk mund të imagjinohet e mira që kam përfituar, prandaj dëshiroj të falenderoj për këtë. Zoti ju shpërbleftë me begati!”, uron Papa.
Françesku kujton më pas sa shumë shpresë shihej në sytë e besimtarëve, në radhë për të nderuar figuren e shën Pantaleonit. “Gjithë ajo dëshmi feje e lutjeje – nënvizoi – tani më ndihmojnë të kem besim e të lutem më shumë”. Së fundi, Papa e përshkruan shenjtëroren si “një tempull, që duket i palëvizshëm, por që populli i Zotit, shtegtar, e çon gjithandej”. Kështu ka ecur për 50 vjet në zemrat e besimtarëve, që kanë ardhur të lusin shenjtin, t’i kërkojnë shëndet e të dëshmojnë fenë. Kështu ka ecur kjo shenjtërore, vijon Papa, në zemrën e gjithë lagjes, nga e cila është projektuar në të gjithë qytetin.
“I lutem Zotit – përfundon Ati i Shenjtë – t’ju japë hirin për të vazhduar të ecni, për të vijuar këtë shtegtim në zemrën e qytetit të madh. Në këto ditë kremtimi të 50-vjetorit jam gjithnjë me ju”. Të dielën, shenjtërorja do të qëndrojë hapur që nga ora 5 e mëngjesit deri në mesnatë. Gjatë ditës do të kremtohen dhjetë meshë.








All the contents on this site are copyrighted ©.