2014-07-24 14:18:17

Meriami është në Itali. Takohet me Papën Françesku


Përfundoi një ëndërr e keqe për Meriamin, gruan e krishterë sudaneze, dënuar me vdekje në muajin e tetë të shtatzanisë, vetëm e vetëm sepse ishte martuar me një të krishterë, duke u kthyer në këtë fe. Sot paradite, mbërriti në Romë, së bashku me të shoqin e me dy fëmijët. U prit nga kryeministri italian Matteo Renzi.
Po sot, rreth orës 13, Meriami e familja e saj u prit edhe nga Papa Françesku. “Takimi – siç njofton zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi – u zhvillua në një atmosferë të qetë e të përzemërt. Papa e falenderoi Meriamin dhe familjen për dëshminë e guximshme të qëndrueshmërisë në fe. Meriami falenderoi për përkrahjen e madhe e për ngushëllimin që i jepte lutja e Atit të Shenjtë dhe e shumë njerëzve të tjerë, besimtarë e vullnetmirë. …Me këtë gjest – vazhdon deklarata e atë Lombardit – Papa deshi të tregojë afërsinë, kujdesin e të lutjen për të gjithë ata, që vuajnë për shkak të fesë, në veçanti, për të krishterët, që pësojnë persekutime ose kufizime të lirisë së tyre fetare”.
Kujtojmë se pas dënimit me vdekje e 100 kamxhikët e caktuar për Meriamin, për faktin se është martuar me një të krishterë, e reja 26 vjeçare u arrestua dhe u burgos së bashku me të birin 20 muajsh. Në burg lindi dhe vajza e vogël, Maya, në kushte çnjerëzore. “E lindi në pranga”, deklaroi më pas i shoqi. Pas mobilizimit ndërkombëtar, qeveria sudaneze e liroi Meriamin më 23 qershor, për ta ndaluar sërish në aeroport, me akuzën e dokumenteve fallco. U lirua për herë të dytë dhe u strehua në ambasadën amerikane në Khartoum, ku i dhanë pasaportën, e cila i dha mundësi të largohej nga vendi. Etapa e parë, Italia; e dyta, Nju Jorku.








All the contents on this site are copyrighted ©.