Dhurimi i sinqertë i vetes dhe lindja e fëmijëve (VII)
Në fragmentin e sotëm të “Letrës drejtuar familjeve” nga Gjon Pali II, më 1994, flitet
për aftësinë e personit njerëzor për të dhuruar vetveten. Njeriu realizohet pikërisht
me anë të dhurimit. Në martesë, dhurimi i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm i personave
bëhet konkret në lindjen e fëmijëve, me anë të së cilës shohim se personi njerëzor
lind si dhuratë dhe dhurim. Të dëgjojmë çfarë shkruan Shën Gjon Pali II në numrin
11 të “letrës drejtuar familjeve, që jemi duke lexuar në rubrikën e përjavshme “Çelësi
i fjalëve të Kishës, në përgatitje të Sinodit të jashtëzakonshëm për familjen, i cili
do të mbahet në Vatikan, tetorin e ardhshëm.
Duke pohuar se njeriu është
krijesa e vetme në tokë, të cilën Hyji e krijoi për hir të vetë njeriut, Koncili shton
menjëherë se ai nuk mund “ta gjejë plotësisht vetveten, përveçse duke e dhuruar vetveten
me sinqeritet”. Mund të duket si kundërshti, por nuk është fare kundërshti. Përkundrazi,
është paradoksi i madhe dhe i mrekullueshëm i ekzistencës njerëzore: ekzistencë e
thirrur për t’i shërbyer të vërtetës në dashuri. Dashuria bën të mundur që njeriu
të realizohet nëpërmjet dhurimit të sinqertë të vetvetes: të duash do të thotë të
japësh e të marrësh atë që nuk mund të blihet as të shitet, por vetëm të dhurohet
lirisht në mënyrë të ndërsjellë. Dhurimi i njeriut kërkon, për vetë natyrën e
vet, të jetë i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Pazgjidhshmëria e martesës buron para
së gjithash nga esenca e këtij dhurimi: dhurimi i personit për personin. Në këtë dhurim
të ndërsjellë dëftohet karakteri martesor i dashurisë. Gjatë premtimeve të përbashkëta
martesore, dhëndrri dhe nusja e thërrasin njëri-tjetrin me emër: “Unë... të marr ty...
për grua (për burrë_ dhe premtoj se do të të jem besnik (besnike)... për të gjitha
ditët e jetës sime”. Kjo dhuratë sjell shumë më shumë detyrime se gjithçka që mund
të “blihet”, në çfarëdo mënyre dhe me çarëdo lloj çmimi. Duke rënë në gjunjë para
Atit, prej të cilit buron çdo atësi e amësi, prindërit e ardhshëm bëhen të vetëdijshëm
se janë “shëlbuar”. Janë blerë, në të vërtetë, me një çmim të shtrenjtë, me çmimin
e dhurimit më të sinqertë të mundshëm, me gjakun e Krishtit, ne të cilin marrin pjesë
me anë të sakramentit. Kurorëzimi liturgjik i ritit të martesës është Eukaristia –
flijimi i “trupit të dhuruar” dhe i “gjakut të derdhur” – që në kontekstin e bashkëshortëve
gjen, në një farë mënyre, shprehjen e vet. Kur burri e gruaja, në martesë, i dhurohen
njëri-tjetrit në mënyrë reciproke dhe e pranojnë njëri-tjetrin, duke u bënë “një mish
i vetëm”, në jetën e tyre hyn logjika e dhurimit të sinqertë. Pa këtë logjikë, martesa
do të ishte e zbrazët, ndërsa bashkimi i personave, e themeluar mbi këtë logjikë,
bëhet bashkim i prindërve. Kur i dhurojnë jetën fëmijës, një “ti” njerëzor i ri hyn
në orbitën e “ne”-së së bashkëshortëve, një person të cilin ata do ta thërrasin me
një emër të ri: “biri ynë...; bija jonë...”. “ “Zoti më fali një njeri” (Zan 4,1),
thotë Eva, gruaja e parë e historisë: një qenie njerëzore, pritur filimisht për nëntë
muaj, që pastaj u “dëftohet” prindërve, vëllezërve e motrave. Procesi i ngjizjes dhe
i zhvillimit në barkun e nënës, procesi i lindjes, shërben për të krijuar një si hapësirë
të përshtatshme, që krijesa e re të mund të dëftohet si “dhuratë”: e tillë, në fakt,
është ajo që nga fillimi. A mund të cilësohet ndryshe kjo qenie e brishtë dhe e pambrojtur,
krejtësisht e varur nga prindërit dhe krejtësisht e lëshuar në duart e dyre. I sapolinduri
u dhurohet prindërve për vetë faktin se vjen në ekzistencë. Qenia e tij është tashmë
një dhuratë, dhurata e parë e Krijuesit për krijesën. Tek i sapolinduri realizohet
e mira e përbashkët e familjes. Sikurse e mira e përbashkët e bashkëshortëve plotësohet
krejtësisht në dashurinë martesore, e gatshme për të dhënë e për të pranuar jetën
e re, poashtu e mira e përbashkët e familjes realizohet me anë të po asaj dashurie
martesore të konkretizuar tek i sapolinduri. Në gjenealogjinë e personit gjednet gjenealogjia
e familjes, që ruhet në kujtesë me anë të shkrimit në regjistrat e të pagëzuarve,
edhe pse kjo s’është tjetër, veçse rrjedhoja shoqërore e faktit “se erdhi në botë
një njeri” (Gj 16, 21). Por, a është e vërtetë se qenia e re njerëzore është një
dhuratë për prindërit? Dhuratë për shoqërinë? Në pamje të jashtme asgjë nuk duket
se e tregon këtë. Lindja e një njeriu nganjëherë duket vetëm një e dhënë statistikore,
e shënuar si shumë të dhëna të tjera në bilancet demografike. Sigurisht, lindja e
një fëmije do të thotë se prindërit do të mundohen edhe më shumë, do të kenë barra
të tjera ekonommike dhe kushtëzime të tjera praktike. Këto motive mund t’i shtyjnë
prindërit të mos dëshirojnë lindje të tjera. Në disa mjedise shoqërore e kulturore,
pastaj, tundimi është edhe më i fortë. Fëmija, pra, nuk është dhuratë? Vjen vetëm
për të marrë e jo për të dhënë? Ja disa pyetje shqetësuese, prej të cilave njeriu
i sotëm e ka të vështirë të lirohet. Fëmija vjen për të zënë pak hapësirë, në një
kohë që në botë duket se ka gjithnjë e më pak hapësirë. Por a është e vërtetë se ai
nuk i sjell asgjë familjes dhe shoqërisë? A nuk është, ndoshta, një “pjesëz” e asaj
të mire të përbashkët, pa të cilën bashkësitë njerëzore shpërbëhen dhe rrezikojnë
të vdesin? Si mund të mohohet kjo? Fëmija është dhuratë për vëllezërit, për motrat,
për prindërit dhe për mbarë familjen. Jeta e tij bëhet dhuratë për vetë dhuruesit
e jetës, të cilët nuk mund të rrinë pa e ndjerë praninë e fëmijës, pjesëmarrjen e
tij në ekzistencën e tyre, ndihmën e tij për të mirën e përbashkët dhe për bashkësinë
familjare. Kjo e vërtetë është e vetëkuptueshme në thjeshtësinë dhe thellësinë e saj,
pavarësisht nga struktura psikologjike e disa personave, që mund të jetë e ngatërruar
dhe patologjike. E mira e përbashkët e mbarë shoqërisë gjendet tek njeriu, i cili,
siç e kemi kujtuar, është “rruga e Kishës”. Ai është para së gjithash “lavdia e Hyjit”:
“Gloria Dei vivens homo” (lavdia e Hyjit është njeriu i gjallë), sipas pohimit të
njohur të Shën Ireneut, që mund të përkthehet kështu: “Lavdia e Hyjit është që njeriu
të jetojë”. Këtu kemi përkufizimin më të lartë të njeriut: lavdia e Hyjit është e
mira e përbashkët e gjithçkaje që ekziston; e mira e përbashkët e gjinisë njerëzore.