2014-07-23 15:47:22

Lindja e Mesme: vijon konflikti në Gazë, deri tani më se 600 të vdekur


Diplomacia ndërkombëtare përpiqet ta ndalojë konfliktin ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, Janë ndërprerë, të paktën për 24 orë, pothuajse të gjitha fluturimet ndërkombëtare nga e për Tel Aviv, pasi një nga raketat e Hamasit ra pranë aeroportit. Izraeli nuk e pranoi propozimin për armëpushim humanitar, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit , John Kerry, nga Kairo, po përpiqet të ndërmjetësojë.RealAudioMP3
“Ju lutemi, ulini armët! Për hir të nënave, që vijojnë të varrosin bijtë në lule të rinisë. Janë tepër. Flisni me fjalë, jo me armë”: kështu u shpreh Ban Ki-moon, duke takuar, në Jeruzalem, kryeministrin izraelit Netanijahu, e pastaj, në Ramallah, presidentin palestinez Abu Mazen. “Kërkoni rrënjët e konfliktit, që të mos përsëritet e njëjta situatë pas gjashtë muajsh a pas një viti”, theksoi gjatë takimeve. Netanijahu u përgjigj: “Në Hamasin, që i deshi këta të vdekur, shikojmë një shembull tjetër të ekstremizmit të dhunshëm, si ai i Al Kaedës”.
Ndërkaq sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që ndodhet për mision në Egjipt e në Katarr, po përpiqet të ndërmjetësojë, duke hasur pengesa serioze nga palët në ndeshje e edhe nga ndikimet e disa fuqive rajonale.
Dje në zonë u thelluan sulmet ajrore e tokësore izraelite në Rripin e Gazës. E nuk kursyen civilë, as xhami. Popullsia, në ikje, nuk di ku të fshihet për të shpëtuar kokën. Strukturat e OKB-së për refugjatët janë të mbushura sa më s’zënë, ndërsa numri i viktimave vijon të rritet: më se 600 nga pala palestineze, 30 nga ajo izraelite, që nga fillimi i konfliktit. E në Izrael vijojnë të bien raketa në zonat e banuara, sepse disa prej tyre nuk janë zbuluar me kohë nga sistemi i vetëmbrojtjes Iron Dome. Për t’u kujtuar, ato që ranë pranë aeroportit të Tel Avivit, duke lënë pas dy të plagosur, gjë që pati si pasojë ndërprerjen e fluturimeve për Izrael të shumë shoqërive amerikane e evropiane. Ndërmjet tyre, Alitalia. Ushtria izraelite njoftoi, ndërkaq, se ka zbuluar 66 hyrje në tunelet që përdoren nga ana milicëve si depo e si pika për lëshimin e raketave, një rrjet prej disa kilometrash, me 23 ndërlidhje, që zgjatet deri në kufi, për të lehtësuar depërtimet.
Për situatën në terren, pyetëm Meri Cavelli-n, vullnetare italiane, me banim në Gazë, e cila ka parë e ka jetuar një mori ndeshjesh, edhe atë më dramatiken, që njihet me emrin “Plumb i shkrirë”. Për të, kjo që po ndodh këto ditë, është diçka krejt e ndryshme:

Përgjigje: - Ka shumë ndryshime. Zakonisht sulmet ushtarake ishin gjithnjë dënim kolektiv mbi këtë popullatë. Por sot popullsia e Gazës ka arritur në atë pikë, sa nuk mund ta durojë më situatën aktuale. Pasi ka duruar për vjet e vjet nën barrën e masave ndëshkimore, pasi ka parë fëmijët e vet duke lindur e duke vdekur në këtë burg, pasi ka hapur kaq varre e ka varrosur kaq shpresa, tani nuk mund të durojë më. Prej këndej ky operacion ushtarak po bëhet ndeshje e mirëfilltë, edhe në terren, duke arritur nivelin e luftës, ndonëse forcat ushtarake janë krejt të ndryshme. Po jetojmë një ndeshje ushtarake, por njerëzit nuk duan t’ia dinë. Janë lodhur. Po vdesim, thonë, të mbyllur në burgun e Gazës! Pa asnjë perspektivë, pa të ardhme para nesh. Prandaj nuk na bën më aspak përshtypje nëse do të vdesim në këtë kurth minjsh, që është Gaza, apo në luftë. Vdesim apo jetojmë, kjo ka pak rëndësi. Vdekje se vdekje është. Vdekje civilësh, sepse këtu po vriten kryesisht civilët e po goditen strukturat civile. E, qëkur nisi ndërhyrja nga toka, ia nisën edhe sulmet në kufi, me topa, artileri. S’pushojnë së gjuajturi. Gjatë gjithë kufirit të Rripit të Gazës. E aty, pranë kufirit, janë edhe shtëpitë…

Pyetje: - Pikërisht mbi shtëpitë ranë predhat të dielën e kaluar në Shejaiya, ku mbetën të vrarë 90 civilë…

Përgjigje: - Shejaiya, po, e para pjesë, që u sulmua nga artileria, nga topat, nga forcat tokësore. E para, që pësoi masakrën e madhe. Dy ditë më pas, po gërmohet në gërmadha, por s’të lënë as të rrëmosh, sepse të fluturojnë bombat e predhat mbi kokë. Nuk të lënë të qetë as të hapësh varret e reja. Ndjehet kudo duhma e vdekjes, sepse nga gërmadhat u nxorën vetëm 90 të vdekur. Po aty mbeten edhe kushedi sa të tjerë.

Pyetje: - A ka njerëz, që nuk duan të largohen nga shtëpitë, apo të gjithë janë vënë në ikje...

Përgjigje: - Sigurisht, sigurisht. Nëse në fillim nuk donin të iknin, e gjetën vdekjen nën gërmadha, tani nuk munden më. Janë vënë në ikje. Tanimë flitet për 150 mijë të shpërngulur gjatë gjithë vijës së kufirit, pa asnjë strehë, pa asnjë ndihmë shëndetësore, pa mjete higjienike, pa ujë. Edhe popullsia e Izraelit po vuan shumë, e megjithatë, asnjëra palë nuk do të heqë dorë nga e vetja. E as njerëzit nuk kthehen më pas, sepse kanë vuajtur edhe tepër, kanë paguar tepër e mund të kënaqen vetëm kur të binden se situata do të ndryshojë me të vërtetë, sepse Gaza duhet të jetë e hapur.

Pyetje: - Ju, si po jetoni?

Përgjigje: - Mes dronesh, që zukasin gjithë ditën, mes avionesh, që bombardojnë, përballë flotës detare, që gjuan… besoj se edhe ju po e dëgjoni zukatjen e dronit, që po më fluturon këtë çast mbi kokë… Mund të lëvizësh, por me rrezik të madh. Patën premtuar se nuk do t’i cënonin agjencitë, civilët, gazetarët. Fjalë boshe. Duhet bërë presion mbi qeveritë tona, e qeveritë tona, mbi izraelitët, për t’i dhënë fund masakrimit të civilëve.

Por, ç’mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj krize? Pyetëm Ianiki Cingoli-n, drejtor i qendrës italiane për paqen në Lindjen e Mesme:

Përgjigje: - Jemi para një situate zbraztësie diplomatike, në të cilën ngërthehet kjo krizë. Ndoshta do të ishte e dobishme nisma e Bashkimit Evropian. Mendoj se duhet të niset prej atje, ku mbeti John Kerry, nga propozimi i tij për marrëveshje, që nuk u pranua nga palët në ndeshje. Duhet të niset që aty, në marrëveshje, jo në kundërshtim, me SHBA-të, e pastaj të paraqesë propozimin edhe para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pyetje: - Ç’kuptim mund të ketë, në këtë drejtim, takimi i Kerry-t me Lidhjen Arabe…

Përgjigje: - Lidhja Arabe në këtë çast kontrollohet nga boshti Egjipt-Arabi Saudite, që nuk është edhe aq në favor të Hamasit. Ajo, që bie në sy, është heshtja e të gjitha këtyre vendeve, përballë kësaj, që po ndodh. Parë përtej deklaratave formale.

Pyetje: - Ç’lidhje ka sot Hamasi me botën arabe?

Përgjigje: - Hamasi është në krizë, sepse tani i mungon mbështetja egjiptiane, nisur me rënien e Morsit e ardhjen e qeverisë së presidentit Sisi, që i nxori jashtë ligji Vëllezërit myslimanë, me të cilët lidhej ngushtë Hamasi. Megjithatë Egjipti mbetet vend-kyç, sepse kontrollon vendkalimet e ndikon shumë mbi Gazën. Nuk ka më lidhje pozitive me Iranin. I mbetet mbështetja e Katarrit dhe e Turqisë, por kjo nuk mjafton. E ashtu si Egjipti shikohet shtrembër nga Hamasi, kështu edhe Katarri e Turqia shikohen tërthor nga izraelitët. Elementi premtues i zhbollokimit të situatës, mund të jetë pikërisht presidenti palestinez, Mahmud Abbas.










All the contents on this site are copyrighted ©.