2014-07-20 14:58:05

Shenjtorët e javës 21-27 korrik


Më 21 korrik përkujtohet shën Lorenci nga Brindizi. Giulio Cesare Russo (ky ishte emri i tij) u lind në Brindisi më 22 korrik 1559. Mbeti jetim në moshë të mitur dhe 14-vjeçar shkoi të jetonte në Venedik, tek ungji meshtar. Aty u shkollua dhe hyri në urdhrin e Fretërve Kapuçinë. Mori emrin Lorenc e më 18 dhjetor 1582 u shugurua meshtar. Më 1618 vendosi të kthehej në Brindizi, por fisnikët napoletanë e bindën të shkonte në Spanjë, tek Filipi III, për t’u ankuar në lidhje me mënyrën e ashpër me të cilën zëvëndësmbreti ushtronte pushtetin në Napoli. Vdiq në Lisbonë më 22 korrik 1619. U dallua për përvuajtëri, mbrojti doktrinën e drejtë dhe arriti të shuante shumë konflikte.

Më 22 korrik përkujtohet Shën Maria Magdalena, gruaja për të cilën Jezusi thotë: “Iu fal shumë, sepse deshi shumë”. E rilindur në takimin me Krishtin, ajo është shembulli më i shkëlqyeshëm i forcës përtëritëse të dashurisë, që buron nga Hyji i bërë njeri. Ajo që u ringjall me anë të faljes, u bë lajmëtarja e parë e ringjalljes.

Më 23 korrik përkujtohet Shën Brigita e Suedisë. U lind më 1303 në Suedi, ku jetoi me prindërit deri në moshën 12-vjeçare. U martua me qeveritarin e Ëstergëtlandit, me të cilin pati tetë fëmijë. Gojëdhëna thotë se pa në vegim Krishtin, i cili i kërkoi të themelojë një urdhër murgar. Më 1349 Brigita e la Suedinë dhe shkoi në Romë, për të kërkuar shpalljen e një viti jubilar dhe miratimin e urdhrit të saj, që do zinte fill në kështjellën e Vastenës, dhuruar nga mbreti Magnus Erikson, por ngeli në Romë, ku vdiq më 23 korrik 1373.

Më 24 korrik përkujtohet Shën Sharbel Makhluf, meshtar i Urdhrit Libanez Maronit, i cili, në kërkim të një jete të thjeshtë, vetmitare e sa më të përsosur, iku nga bashkësia rregulltare dhe u vendos në herem, kun i shërbeu Hyjit ditë e natë me lutje e agjërime, derisa vdiq, më 1898.

Më 25 korrik përkujtohet Shën Jakobi i Madh, apostull. Quhet i Madh për ta dalluar nga Jakobi tjetër, edhe ai apostull, që njihet si i Vogli). Jakobi qe dëshmitar i shndërrimit të Jezusit mbi Tabor dhe i agonisë në Gjetseman. Për shkak të karakterit të flaktë e ngutshëm, njësoj si i vëllai – Gjoni Apostull, Jezusi i quajti “Boanerges” – bijtë e bubullimës. Është apostulli i parë që u martirizua në Jeruzalem rreth vitit 43, me urdhër të Herod Agripës. Varri i tij, në Santiago të Kompostelës (Spanjë), është vend shtegtimi për besimtarë nga mbarë bota.

Më 26 korrik përkujtohen Shën Ana e Joakini, prindërit e Marisë, Nënës së Hyjit.
Joakini e Ana nuk patën fëmijë deri në moshë të vonë. Kur u lindi vajza e shumëpritur, vendosën ta quanin Mari: “e dashura e Hyjit”. Njerëz të urtë e të devotshëm, e rritën Nënën e Krishtit me frymën e Shkrimeve të Shenjta dhe e mësuan t’i bindet vullnetit të Hyjit.

Më 27 korrik është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.