Lutje për paqen e thirrje për bashkësitë e krishtera të Mosulit, në Irak, sepse të
persekutuara, të vuajtura e të detyruara t’i braktisin shtëpitë e tyre. Por edhe shqetësim
për tensionet e tjera në Lindjen e Mesme e në Ukrainë. Këto, mendimet e Papës, shprehur
pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, nën saçin e
një dielli përvëlues. Reflektimi i Atit të Shenjtë u ndalua sot tek shëmbëlltyra ungjillore
e grurit të mirë dhe egjrës.
Papa u lut e lartoi përsëri zërin në një thirrje
të përgjëruar për paqen, sepse, theksoi, mora me shqetësim të thellë lajmet, që më
vijnë nga bashkësitë e krishtera të Mosulit, në Irak e nga anë të tjera të Lindjes
së Mesme. Atje, kujtoi me hidhërim, këta vëllezër që nga zanafilla e krishterimit,
jetuan së bashku me qytetarët e tjerë, duke dhënë një kontribut jo të paktë për përparimin
e mbarë shoqërisë: “Sot persekutohen. Vëllezërit tanë janë të persekutuar, të
dëbuar, duhet të largohen nga strehët e tyre me duar thatë, pa mundur të marrin asgjë
me vete, veç lotëve. I siguroj këto familje e këta njerëz për afërsinë time e lutjen
time të vazhdueshme. Të dashur vëllezër e motra, aq të përsekutuara: e di sa vuani,
e di se po ikni nga strehët, ngarkuar vetëm me barrën e dhimbjes, pa asgjë tjetër
mbas shpirtit. Jam me ju në besën e Atij, që fitoi mbi të keqen”. Mendimi i
Papës shkoi edhe në vende të tjera, të ngarkuara me tensione e konflikte, që nuk dinë
të pushojnë e, posaçërisht, në Lindjen e Mesme e në Ukrainë: “Hyji i paqes ngjalltë
në zemrat e të gjithëve dëshirën për dialog e pajtim. Dhuna nuk mundet me dhunë. Dhuna
mundet me paqe”. Reflektimi ungjillor i Papës pati në qendër të vëmendjes shëmbëlltyrën
e grurit të mirë e të egjrës. Skena, kujtoi, është ajo e një are, ku bujku mbjell
grurë, ndërsa armiku hedh farë egjre. E rriten njëherësh grurë e egjër. Por kur argatët
duan ta shkulin egjrën, i zoti i arës nuk i lejon, për të mos shkulur edhe grurin
njëherësh me egjrën. Shëmbëlltyra, shpjegoi Papa, prek problemin e së keqes në botë
e vë theksin mbi durimin e Hyjit: fjala ‘egjër’ në hebraishte ka të njëjtën rrënjë
me fjalën Shejtan e të kujton pëçarjen. Djalli, vijoi Papa, atë punë ka: t’i përçajë
njerëzit, familjet, Kombet, popujt. Është armik dinak, që mbjell farën e së keqes
në arën e së mirës, në mënyrë që njerëzit, pastaj, të mos jenë në gjendje ta dallojnë
e ta ndajnë të mirën nga e keqja. Por, siguroi Papa, nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë
njerëzit, e bën Zoti. Zoti di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Ai pret, në
kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar
shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë,
sipas gjykimit tonë: “Ndërsa Hyji di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo
njeriu me durim e mëshirë: i shikon shumë më mirë se ne, ndyrësinë e të keqen, por
edhe më mirë sheh bumbeskat e së mirës e pret me durim të rriten e të piqen. Hyji
është durimtar, pret gjithnjë, na pret, e na pret me zemër në dorë, për të na rrokur,
për të na falur!Na fal gjithnjë, nëse shkojmë tek Ai”. Prej këndej mund të
themi se sjellja e të zotit të arës, në shembëlltyrë, është simbol shprese, bazuar
mbi sigurinë se e keqja nuk e ka as fjalën e parë e as atë të fundit: “Falë
kësaj shprese durimtare të Hyjit, edhe vetë egjra, domethënë zemra e keqe, e ngarkuar
me ligësi e mëkate, në fund të fundit mund të bëhet grurë i mirë. Por, kujdes! Durim
ungjillor nuk do të thotë qëndrim indiferent ndaj së keqes: e mira dhe e keqja nuk
mund të ngatërrohen. Përballë egjrës, që lëshon shtat në botë, dishepulli i Zotit
duhet të ketë durimin e Hyjit. Ta ushqejë shpresën me besimin e patundur në fitoren
përfundimtare të së mirës, domethënë, të Hyjit”. Në fund, kur të vijë ora e
gjyqit hyjnor, përfundoi Papa, e keqja do të shkulet me rrënjë e do të zhduket, sepse
gjykatësi do të jetë Jezusi e të gjithë do të gjykohemi, duke u matur me të njëjtin
metër:
“Me të njëjtin metër, me të cilin gjykuam: metrin e mëshirës,
që patëm për të tjerët”.