2014-07-18 14:11:27

Irak: familjet e fundit të krishtera lënë Mosulin


Familjet e fundit të krishtera, që akoma jetonin në Mosul të Irakut, u larguan sot në drejtim të Erbilit, Dohukut dhe qyteteve të tjera të Kurdistanit irakian, të cilat konsiderohen më të sigurta. Lajmi i jepet agjensisë katolike Fides nga bashkësia kaldease lokale. Eksodi i ri është përshpejtuar ditët e fundit, pasi milicët sunitë e militantët e të vetëshpallurit Kalifat Islamik filluan t’i shenjojnë shtëpitë e tyre për t’i dalluar nga të tjerat e për t’i sekuestruar më vonë.
Largimi i të krishterëve të fundit është shkaktuar edhe nga intensifikimi i bombardimeve të forcave qeveritare, sidomos gjatë natës. Në shumë fshatra të Pllajës së Ninives, emergjenca kryesore mbetet furnizimi me ujë, mungesa e të cilit ndjehet edhe më shumë për shkak të temperaturave të larta.
“Të krishterët, që detyrohen nga ISIS të ikin nga shtëpitë e të braktisin qytetin, gjithsej 50-100 familje, gjatë largimit ndalohen në postoblloqet jashtë qendrës, ku u merret gjithçka kanë: para, ushqime e madje, edhe makina, duke u thënë ‘ikni në këmbë’”, pohon vikari patriarkal kaldeas i Bagdadit, imzot Shleimun Warduni. Sipas agjensisë Sir, në Mosul nuk ka mbetur më asnjë i krishterë. Ndërkaq, Patriarku kaldeas Sako komenton me hidhërim fjalët e islamikëve, që theksojnë se mes tyre e të krishterëve nuk ka tjetër, përveçse shpatës. Pohon se i ka këshilluar ipeshkvijtë t’i ftojnë të krishterët të largohen. Në vend kanë mbetur vetëm të krishterët më të varfër, që s’kanë mjete për të ikur. Të tjerët gjejnë mikpritje në manastire e në fshatra të tjera. Nëpër rrugë shihen njerëz, që me megafonë, i kërcënojnë të krishterët e i nxisin të largohen. “Nuk ka asnjë autoritet me të cilin të mund të konfrontohemi – nënvizon Patriarku – nuk dimë nga vijnë këta njerëz e çfarë duan vërtet. Qeveria nuk ka asnjë kontakt me ta e ka filluar bombardimet ajrore”. Sipas Patriarkut, asnjë formë dialogu nuk është e mundur me islamikët e ISIS-it.








All the contents on this site are copyrighted ©.