2014-07-16 14:14:28

Lindja e Mesme. Atë Samir: dy shtete, zgjidhja e vetme


“Nëse shkaku i drejtpërdrejtë i acarimit të konfliktit izraelito-palestinez është reagimi i Hamasit ndaj vrasjes së një të riu palestinez, shkaku më i thellë duhet kërkuar tek radikalizmi i kësaj organizate palestineze dhe tek radikalizmi i Izraelit, i cili në këtë rast u shoqërua për herë të parë me një racizëm të thekur antiarab. Efekti është se çdo akt i njërës anë shkakton reagimin e kundërt, edhe më të fortë, të anës tjetër. E anasjelltas”. Kështu u shpreh jezuiti Khalil Samir, islamolog në universitetin e Shën Jezofit në Beirut dhe në Institutin Papnor Lindor të Romës. RealAudioMP3
“Duhet të dalim nga ky qerthull i dhunës, që nuk ka asnjë kuptim. Zgjidhja e vetme është ajo e parashtruar nga disa palë, si nga ana izraeliane ashtu edhe palestineze e më gjerësisht arabe: të caktohet reshtja e dhunës dhe pastaj të diskutohet për mundësinë e krijimit të dy shteteve, që e njohin njëri-tjetrin dhe njihen nga bashkësia ndërkombëtare”. Propozimi i udhëheqësit të paqedashësve izraelianë, Uri Avnery, është pikërisht ai e zgjidhjes me dy shtete, themeluar mbi njohjen e kufijve të 1967-ës nga ana e Izraelit. “Do të ishte një lëshim i madh dhe më duket gjëja më realiste” – komenton Atë Samir. “Edhe parashtrimi i paqes i Mahmoud Abbasit ishte i mirë, por u kundërshtua nga krahu ekstremist palestinez, që e akuzoi si tradhëtar, dhe nga izraelitët, që e cilësuan si parashtrim hipokrit”. “Duhet të përpiqemi të vlerësojmë arritjet pozitive të deritanishme – komenton islamologu – si për shembull takimin e kërkuar nga Papa Françesku, që u zhvillua në Vatikan më 8 qershor, ku morën pjesë Shimon Peres, Mahoud Abbas, disa rabinë, imamë e meshtarë. Të gjithë ishin në një mendje për caktimin e një armëpushimi, për të shkuar drejt një marrëveshjeje ndërkombëtare për paqen”.
Acarimi i konfliktit në Lindjen e Mesme përkon me stinën e të ashtuquajturit Kalifat të Abu Bakr al Baghdadit, i cili, me njerëzit e Isis-it, ka marrë nën zotërim disa troje irakiane e siriane. Atë Samir vëren një lidhje ndërmjet dy ngjarjeve. “Mbrapa këtyre dy fenomeneve gjendet gjithmonë fanatizmi, që vijon të rritet. Rritet nëpërmjet grupeve të vogla, si në mjediset izraeliane, ashtu edhe në ato arabe e myslimane. E nga të dyja anët ka fatkeqësisht sfond fetar, i cili nuk e bën të lehtë zgjidhjen”. “Gjëja e veçantë është se bota myslimane po përjeton një krizë identiteti. Duhet të hedhë një hap drejt modernitetit, drejt një mënyre tjetër të kuptimit të shtetit, i dili duhet të jetë, të paktën pjesërisht, i ndarë nga feja”. “Këtë hap – shpjegon Samir – e dëshiron shumica dhe ishte në themel të të gjitha lëvizjeve të pranverës arabe. Njerëzit thonë: ne e respektojmë fenë, por duam që feja të na repektojë ne”. “Kjo lëvizje, që është përforcuar dhe ka marrë formë para tre vjetësh, kundërshtohet nga krahu mysliman më radikal, domethënë nga Vëllezërit Myslimanë, por edhe më shumë nga salafitët dhe terroristët”. “Në veçanti, projektin e Kalifatit e mbështet një anë e popullsisë myslimane, kryesisht të rinjtë – shton Atë Samir – me bindjen se kriza e islamit zgjidhet duke u kthyer në shekullin VII, në epokën kur feja e profetit Muhamet pati pushtuar pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme. Por historia nuk kthehet mbrapa. Dhe shumica e popullsisë myslimane është kundër projektit të Kalifatit, që synon të ringjallë një mit të së shkuarës”.
“Një provë për këtë është propozimi i Egjiptit për një armëpushim të arsyeshëm të konfliktit izraelito-palestinez. As Egjipti vetë nuk është në kushte demokracie, por në këtë mënyrë e ka dënuar tërthorazi levizjen Hamas. Pjesa më e madhe e botës arabe dhe palestineze, në të vërtetë, e dënon qëndrimin e Hamasit, sepse e sheh se nuk i jep një zgjidhje luftës”.
“E njëjta gjë ndodh në mjediset izraeliane – shton Samir- ku pjesa më fanatike, edhe pse është pakicë, është në rritje. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, shumica nuk ia doli të zgjidhte një president afër qëndrimeve paqedashëse. Nga të dyja anët ka diçka që nuk shkon. Do të nevojitej një ndihmë më e madhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, jo aq nga OKB, që tashmë është e dobët, sa nga vendet perëndimore”.
Atë Samir komenton, në fund, pranimin fillestar, nga ana e Izraelit, të propozimit për armëpushim, që paraqiti Egjipti, por që nuk u pranua nga krahu më i skajshëm i Hamasit. “Kuptohet reagimi i Hamasit, që kërkon të caktohen disa kushte për armëpushimin. Kërkojnë të lehtësohet mbikëqyrja e rreptë izraeliane mbi Gazën, e cila nuk i lejon njerëzit as të sigurojnë jetesën, dhe të lirohen të burgosurit palestinezë, liruar një herë më 2011 dhe riburgosur më vonë. Megjithatë, do të kishte qenë më mirë nëse Hamasi do ta kishte pranuar armëpushimin, për të kërkuar më pas vendosjen e disa kushteve”. “Sidoqoftë – përfundon jezuiti ekspert në çështjet e Lindjes së Mesme – përderisa nuk arrihet në përfundimin se zgjidhja e vetme mbetet ajo e dy shteteve, të cilën OKB-ja e përsërit që prej ’48-ës, por deri më sot nuk e pranon kryeministri Izraelian Netanjahu, paqja nuk do të jetë e realizueshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.