“Trishtim i patregueshëm” dhe “ankth” për shkak të veprimeve ushtarake në lindje të
Ukrainës, “që rrëmbejnë jetë të tjera njerëzore, veçanërisht jetët e të rinjve”. Ky
është reagimi i Konferencës Ipeshkvnore Katolike Romake Ukrainase në lidhje me përplasjet
që vijojnë në lidje të vendit. “Në emër të klerit dhe të laikëve të Kishës katolike
në Ukrainë, u shprehim ngushëllimet tona prindërve dhe miqve të viktimave” të Zenolopilës
dhe të vendeve të tjera – thonë ipeshkvinjtë. Gjendja është gjithnjë e nderë –
njofton agjencia Sir. Përplasjet ndërmjet ushtrisë dhe forcave filoruse vijojnë pa
pushim. “Me dhimbje, gjunjëzohemi para atyre që dhanë jetën për të mbrojtur atdheun”,
pohojnë prelatët. “Hyji, edhe në rrethanat më të ndërlikuara dhe të paparashikueshme,
është në gjendje të veprojë për të mirën tonë”, vijon mesazhi, në të cilin i bëhet
kjo thirrje edhe Zojës: “Të lutemi, me ndërmjetësinë e Nënës së paqes dhe të pajtimit,
për ndalimin e armiqësive në Ukrainë” dhe kudo që ka mosmarrëveshje për të cilat kërkohet
të ndërhyjë ushtria”. Ipeshkvinjtë pohojnë se, duke u lutur për paqen, shumë
besimtarë të ritit latin “shkojnë më këmbë si shtegtarë në vendet e shenjta, si në
Letiçev, Berdiçev, Bilshivci, dhe i luten Zotit për një jetë plot hir në të vërtetën,
në paqe, në mirëkuptim dhe falje për çdo banor të vendit tonë dhe për të afërmit tanë”.