2014-07-15 11:48:36

Propozim i Egjiptit për armëpushim në konfliktin e Gazës


Izraeli pranoi sot propozimin e Egjiptit për armëpushim në konfliktin e Gazës, megjithëse kryeministri Netanijahu vë si kusht çmilitarizimin e territorit të kontrolluar nga Hamasi. Ushtria ka marrë urdhër të pezullojë zjarrin, por të qëndrojë në gatishmëri, pasi organizata palestineze Hamas akoma vazhdon hedhjen e raketave mbi territorin izraelit, pa e respektuar armëpushimin, që mbështetet edhe nga SHBA-të. Deri tani, numri i viktimave e ka kaluar 190-shin, ndërsa të plagosurit janë më shumë se 1000 vetë. Sipas organizatës humanitare Oxfam, 70% e të vrarëve janë civilë, 30% e të cilëve, fëmijë. Mëse 395 mijë vetë në Rripin e Gazës, aktualisht, nuk kanë ujë e u mungojnë shërbimet higjieniko-shëndetësore. Janë dëmtuar 4 spitale, 3 klinika, një qendër për invalidët dhe 4 ambulanca.RealAudioMP3
Ndërkaq, vijon jehona e thirrjes së Papës Françesku, ditën e dielë. Ati i Shenjtë kërkoi të mos kursehen lutjet e përpjekjet për të ndalur çdo konflikt e për të kthyer paqen në rajon. Të dëgjojmë një koment të ipeshkvit-ndihmës të Jeruzalemit të Latinëve, imzot Uiliam Shomali:
Janë fjalë të drejta, të cilat përforcojnë mesazhin e paqes, që la Papa gjatë vizitës në Tokën Shenjte, por edhe gjatë lutjes në Kopshtet e Vatikanit, më 8 qershor, bashkë me presidentët palestinez e izraelit, si edhe me Patriarkun ortodoks Bartolomeu. Fjala e tij mbetet në histori e është gjithnjë e vlefshme: të arrish paqen, pati theksuar, kërkon më shumë përpjekje se të fillosh luftën; e pastaj: aty ku përpjekjet njerëzore nuk ia dalin dot, ka një mundësi tjetër, lutja. Papa ka besim se Zoti mund t’i shndërrojë zemrat, sepse problemi është kryesisht vullneti i mirë. Hyji mund t’u japë vullnetin e mirë zemrave.
Papa tha se takimi në Kopshtet e Vatikanit nuk ishte i kotë: pse?
Sepse lutja është gjithnjë e vlefshme. Ne besimtarët e dimë se lutja e bërë me fe ka fuqi dhe forcë të veçantë. Sidomos, kur njerëzit që luten janë “armiq” ndërmjet tyre. Jam i sigurtë se lutja e palestinezit Abbas dhe e izraelitit Peres ishte e sinqertë, sepse duan të dalin nga kjo ëndërr e keqe. Por nëse rezultati nuk shihet që të nesërmen, nuk do të thotë se nuk ka pasur rezultat.
Ka kaluar një muaj nga ajo lutje: në terren, çfarë ka ndryshuar?
Ky problem zgjat që prej 80 vjetësh, prandaj një vit më shumë, një vit më pak, në një histori kaq të gjatë, nuk është vonesë. Pema e ullirit, që mbollën së bashku në Kopshtet e Vatikanit, nuk do të japë fryte para së të mbushen pesë vjet e ky është imazhi i lutjes: mund të japë fryte më vonë.
Cila është gjendja aktuale në Rripin e Gazës? Çfarë sjell dhuna?
Sjell frikë, gjakderdhje, mosbesim e urrejtje. Askush nuk fiton gjë nga dhuna. Gjendja është dramatike. Famullitari i Gazës ka publikuar një letër, në të cilën e përshkruan atë. Ka një eksod masiv të familjeve, që largohen si munden nga Gaza drejt veriut, në Jabaliya, ku janë shkollat e OKB-së. Fëmijët janë të traumatizuar. Shumë kanë humbur shtëpinë, nuk kanë ushqim, para, ujë, nuk kanë dritë elektrike e ndodhen gjithnjë nën goditjen e predhave.
Bilanci i viktimave tregon se shumica janë gra e fëmijë….
Bilanci ndryshon çdo ditë, por nuk mund të përshkruhet me shifra vuajtja.








All the contents on this site are copyrighted ©.