2014-07-15 11:22:12

Emigracioni. Papa: mbështes kulturën e takimit


Përballë fenomenit të madh të emigrimit, sfidë e shoqërive bashkëkohore, duhet të përgjigjemi me “kulturën e takimit” e jo me “mosinteresimin dhe frikën”. Kështu shprehet Papa në mesazhin drejtuar Seminarit mbi emigrimin, që po mbahet në Meksikë, ku është i pranishëm edhe sekretari i shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin. Françesku bën thirrje me forcë për mbrojtjen e të miturve të pashoqëruar, që kanë marrë rrugët e emigrimit.
Pavarësisht rrjedhës së madhe të emigrantëve në botë, shkruan Françesku, ky fenomen shikohet ende si emergjencë, ose si fakt që lind në rrethana të caktuara, në një kohë që është tashmë diçka karakteristike dhe sfidë për shoqërinë tonë. Ky fenomen mbart me vete premtime të mëdha, por edhe vuajtje, nënvizon Papa, si “dhunimin e të drejtave dhe sjelljet raciste e ksenofobe”. Për këtë arsye Françesku kërkon “ndryshimin e qëndrimit nga ana e të gjithëve”: mjaft më me “kulturën e hedhurinave”, që lind nga vetëmbrojtja, nga frika, nga mosinteresimi, nga mënjanimi, por të zhvillojmë “kulturën e takimit”, e vetmja e aftë të “ndërtojë një botë më të drejtë e vëllazërore, një botë më të mirë”, nënvizon Papa.
Në këtë mesazh përmenden fëmijët e shumtë, dhjetra mijëra, që, “në kushte të skajshme”, shkruan Papa, “emigrojnë vetëm, në pashoqëruar, për të shpëtuar nga varfëria e nga dhuna”, nga Amerika Qendrore e Meksika drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Emergjencë humanitare” e përkufizon Françesku, që rritet vazhdimisht dhe kërkon para së gjithash t’i pranojmë e t’i marrim në mbrojtje nevojtarët, por edhe të zhvollojmë “politikat e informacionit në lidhje me rreziqet e këtyre udhëtimeve” dhe, mbi të gjitha, “politikat e mbështetjes së zhvillimit në vendet e tyre të prejardhjes”.
Është gjithashtu e nevojshme, “të tërheqim vëmendjen e mbarë bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që të miratohen forma të reja të emigrimit ligjor dhe të sigurtë” – përfundon Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.