2014-07-14 15:13:43

Panama: Kongresi latinoamerikan i punës baritore me familjet


Qyteti i Panamasë përgatitet të presë, më 4-9 gusht, kongresin e parë latinoamerikan të baritorisë familjare, që synon të hapë debatin mbi çështjet shoqërore, të flasë për teologjinë dhe baritorinë e familjes, burim pasurie për shoqërinë.
Ngjarja, e organizuar nga Këshilli ipeshkvnor i kontinentit, dëshiron të jetë shenjë e “bashkimit me Sinodin e ardhshëm të jashtëzakonshëm mbi familjen, thirrur nga Papa Françesku” për muajin tetor. Punimet, me temë “Familja dhe zhvillimi shoqëror për jetën e plotë dhe bashkësinë misionare”, do t’i drejtojë departamenti i Konferencës Ipeshkvnore Latinoamericane për familjen, jetën dhe rininë.
“Kongresi – thuhet në njoftimin e dhënë nga vetë Konferenca – synon, nga njëra anë, të analizojë mundësitë dhe sfidat e familjeve në kontinent, në mënyrë që t’i bëjë protagoniste të zhvillimit shoqëror të vendit”. Nga ana tjetër, urohet që kuvendi “të japë ndihmesën e vet për studimet ekonomike dhe politike mbi familjen”, duke vënë veçanërisht në pah “vlerën shoqërore dhe parësore të saj, si burim i zhvillimit shoqëror”. Një tjetër pritshmëri lidhet me mundësinë “për të ndikuar tek politikat për familjen, që tëp kenë rëndësi parësore në programin qeverisës”.
Përveç temës kryesore, punimet do të merren edhe me çështjen e familjes lidhur me pesë veprimtari: edukumin, komunikimin, jetën, ekonominë dhe ungjillëzimin e ri. Do të jenë të pranishëm jo vetëm ipeshkvinjtë përgjegjës të baritorisë së familjes, por edhe delegatët për punën baritore me të rinjtë, anëtarët e lëvizjeve të ndryshme dhe të institucioneve për familjen.
Në përgatitje të Kongresit, komiteti organizator ka shkruar një “Lutje për familjen dhe misionin e saj”: në këtë lutje i kërkohet Zotit “të forcojë, të përtërijë dhe të frymëzojë, me hirin e Shpirtit të Shenjtë” të gjitha familjet latinoamerikane, “që të rriten vazhdimisht me vlerat fetare, shoqërore dhe baritore” dhe të çojnë përpara “detyrën e vështirë të krijimit të një bote më njerëzore”, duke qenë “burim bashkimi, dëshmitare të jetës së plotë dhe të përgjegjësisë shoqërore për të cilën janë të thirrura, si bashkësi natyrore ku jetohet jeta, vëllazëria, dashuria dhe paqja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.