2014-07-13 19:04:56

Videomesazh i Françeskut të sëmurëve dhe personelit të Gemelli-t


“Dëshmojeni se vetëm Zoti është forca juaj”. Është kjo ftesa e Papës drejtuar të sëmurëve dhe personelit të Poliklinikës Gemelli, përmes një videomesazhi, pas anulimit të vizitës së tij, parashikuar për 27 qershorin e kaluar. Të sëmurët, pohon Ati i Shenjtë, mund të dëshmojnë se pasuria më e çmuar e jetës është Ungjilli, nuk janë paratë, as pushteti.RealAudioMP3

Papa kujton se pushimet verore janë çast prehjeje, por edhe rast për të ndenjur më gjatë në shoqëri me Jezusin, duke rilexuar, për shembull, disa faqe të Ungjillit. Pikërisht nga veronjësit niset mendimi i Papës, për të shkuar pastaj, menjëherë, tek të sëmurët e pleqtë…:
“… që ndjehen më të vetmuar e kanë më shumë vështirësi për disa shërbime të domosdoshme, sidomos në qytetet e mëdha. Kështu koha e pushimeve është edhe kohë, në të cilën duket se vështirësitë e jetës bëhen më të forta”.
Të sëmurëve, pastaj, në qendër të vëmendjes në videomesazh, Papa u shpreh keqardhjen që s’mundi të jetë mes tyre më 27 qershor, për t’i takuar personalisht:
“Mendoj për ju, të sëmurë, që mjekoheni me dashuri e profesionalitet nga personeli mjekësor e paramjekësor i Gemelli-t: kultivojeni në lutje shijen e sendeve të Zotit, dëshmojeni se vetëm Zoti është forca juaj. Ju, të sëmurë, që provoni brishtësinë e trupit, mund t’u dëshmoni me forcë njerëzve, pranë jush, se pasuria më e çmuar e jetës është Ungjilli, dashuria përdëllyese e Atit e jo paratë e pushteti. Në të vërtetë, edhe kur një njeri, në logjikën e botës, është i rëndësishëm, nuk mund t’i shtojë as edhe një çast të vetëm jetës, kur i sosen ditët”.

Duke shprehur edhe një herë keqardhjen për mungesën mes të sëmurëve dhe personelit mjekësor, që e prisnin vizitën e tij, Papa kujton se shpesh jeta nuk na lejon t’i plotësojmë dëshirat e se duhet ta pranojmë brishtësinë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.