2014-07-13 19:05:24

Papa në Seminarin për ekonominë e të gjithëve: Jo, politikës së hedhurinës


Të rivendoset njeriu në qendër, për të mos rënë në shndërrim antropologjik, që i shikon si hedhurina fëmijët, pleqtë dhe breznitë e reja. Këtë, thënë me dy fjalë, theksoi Papa Françesku, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në seminarin ndërkombëtar “Pasuria e përbashkët globale drejt një ekonomie, që i përfshin të gjithë”, organizuar nga Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen dhe Seksioni i Dytë i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, mbajtur të shtunën e kaluar në Vatikan. Duke përdorur figurën e verës, që pasi distilohet, bëhet raki, Ati i Shenjtë kujtoi se edhe njeriu mund ta humbasë natyrën e vet e të shndërrohet thjesht në mjet. Gjatë drekës me akademikët, specialistët dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve të mëdha, Papa kujtoi se është e nevojshme të kapërcehet politika, sociologjia dhe sjellja e skarcos, që i shikon njerëz e sende si hedhurina.RealAudioMP3
Të forta, fjalët e Papës për botën e sotme, ku vendimet merren mbi bazën e interesave ekonomike, ndërsa njeriu…
“Bëhet mjet i sistemit, i sistemit shoqëror, ekonomik, sistemit, ku sundon mungesa e drejtpeshimit. Kur njeriu e humbet natyrën e tij njerëzore, ç’mund të presësh prej tij? Ndodh ajo, që mund ta shpreh me një gjuhë të rëndomtë: politika, sociologjia sjellja ‘e hedhurinës’. Hidhet çka nuk i shërben këtij sistemi, sepse njeriu nuk është në qendër”.
Po kush shikohet si hedhurinë? Për Papën:
“Skartohen fëmijët. E tregon niveli i lindjeve që, së paku këtu, në Evropë, e dimë të gjithë; skartohen pleqtë, sepse nuk u dashkan gjë. Tani, skartohet një brezni e tërë të rinjsh! E kjo është shumë e rëndë! Kam parë një shifër: 75 milionë të rinj, nën 25 vjeç, pa punë. Të rinjtë nuk e nuk… nuk studiojnë, nuk punojnë. Nuk studiojnë, sepse nuk kanë mundësi, nuk punojnë, sepse nuk ka punë. Është një hedhurinë tjetër kjo. Cila do të jetë hedhurina e ardhshme? Të ndalemi me kohë, ju lutem!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.