2014-07-13 19:05:10

Notë e atë Lombardit për bisedën e Papës me Skalfarin


Në gazetën italiane “la Repubblica” të së dielës, në një vend tejet të dukshëm, u botua, nënshkruar nga Eugenio Scalfari, një bisedë e re me Papën Françesku. Bisedë e përzemërt e shumë interesante, që prek kryesisht temat e plagës së shpërdorimeve seksuale mbi të miturit dhe qëndrimin e Kishës ndaj mafies.
Gjithsesi, ashtu si më parë, në një situatë të ngjashme, duhet vërejtur se fjalët, që Skalfari i paraqet si të ishin të Papës, duke i përmendë ndërmjet thonjëzash, janë fryt i kujtesës së tij prej gazetari specialist, jo i transkriptimit të saktë të ndonjë regjistrimi e, aq më pak, i rishikimit nga ana e të interesuarit, të cilit i atribuohen pohimet. Nuk mund e as nuk duhet të flitet, prandaj, për një intervistë të zakonshme, me pyetje-përgjigje, që pasqyrojnë saktë mendimin e bashkëbiseduesit. Kështu mund të themi me siguri se shprehjet që hasim në gazetë, ashtu si janë formuluar, nuk mund t’i atribuohen me siguri Atit të Shenjtë.
Për shembull e në mënyrë të posaçme, kjo vlen për dy pohime, që tërhoqën shumë vëmendjen e që nuk mund të thuhet se janë të Papës. Mendimi i parë është se ndërmjet pedofilëve paskesh edhe kardinaj: e i dyti, se Papa paskesh pohuar me siguri, lidhur me çelibatin: “rrugëzgjidhje ka, e unë do t’i gjej”.Pohimet paraqiten si të ishin të Papës por, çuditërisht, thonjëzat, pasi hapen, nuk mbyllen më. Thjesht, mungojnë thonjëzat e mbylljes. Harresë, apo manipulim për lexuesit e padjallëzuar?







All the contents on this site are copyrighted ©.