2014-07-13 15:07:49

Kardinal Maradiaga: emigrantët, burim për zhvillimin njerëzor


“Dy të tretat e lojtarëve të futbollit gjatë këtij Kampionati Botëror, ishin emigrantë”. Ndërsa pritet të merret vesh kush është kampioni i botës për këtë vit, në ndeshjen e fundit që zhvillohet sot, kujtojmë fjalët e kryetarit të Caritas Internationalis, kardinalit Oscar Rodriguez Maradiaga, në Konferencën për emigracionin, që u zhvillua javën e kaluar në Uashington. Është fjala për takimin e organizuar çdo pesë vjet nga Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-ve, së bashku me Karitasin dhe me Rrjetin ligjor katolik për emigracionin.
“Kur dëgjoj histori emigrantësh, që ndërmarrin udhëtime prej qindra mijëra kilometrash, i admiroj për guximin dhe vendosmërinë”, nënvizoi prelati, duke përmendur edhe frikën e traumat, që pësojnë emigrantët në këto rrugë drejt shpresës. “Emigrantët janë subjekte abuzimesh, shfrytëzimi e dhune. Fëmijët përfundojnë në duart e trafikantëve të drogës, të organizatave kriminale e të trafikut të njerëzve, përveçse në duart e zyrtarëve të korruptuar. E megjithatë, duket se nuk janë ata, që frikësohen më shumë: ‘Kur shoh si reagon bashkësia ndërkombëtare para krizës së emigracionit, pyes veten cili ka më shumë frikë: emigrantët, apo vendet për ku janë drejtuar?”, vuri në dukje me ironi kardinali Maradiaga. E shpesh, vendet për ku janë drejtuar, i fusin në burg, nuk kujdesen për ta, i nxjerrin jashtë kufijve, i pengojnë të fillojnë një jetë të re. “Imagjinoni – bëri një krahasim kreu i Karitasit Ndërkombëtar – Shën Palin Apostull në përpjekje për të hyrë sot në Evropë: do të ishte klasifikuar klandestin dhe si i tillë, do të ishte kthyer mbrapsht në shtëpi”.
Prelati falenderoi agjencitë katolike ndërkombëtare dhe amerikane për punën e bërë në favor të emigrantëve, ndërsa ftoi administratën amerikane të ratifikojë Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, duke ngulur këmbë në rëndësinë e edukimit: “Garantimi i të drejtave të fëmijëve emigrantë – tha ai – është hapi i fundit, por duhet të punojmë edhe për të siguruar zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, përmes arsimit, formimit dhe ushqimit shpirtëror”. Emigracioni, ishte mendimi i kardinalit Maradiaga, është pjesë e zhvillimit njerëzor. Emigrantët sjellin aftësi dhe krahë pune, prandaj përbëjnë pasuri. Së fundi, duke cituar Papën Françesku, që e ka quajtur trafikun e njerëzve “krim kundër njerëzimit”, prelati theksoi rëndësinë e ligjeve kundër kësaj plage shoqërore.
Konferenca amerikane për emigracionin diskutoi jo vetëm problemin e emigrantëve ekonomike, por edhe atë të refugjatëve, të të miturve të pashoqëruar, të viktimave të trafikut. Qëllimi është nxitja e Kongresit amerikan për të miratuar reformën e emigracionit brenda vitit. Delikate, gjendja e të miturve të pashoqëruar. Vetëm gjatë 8 muajve të fundit, janë ndaluar 52 mijë të mitur, ardhur nga Guatemala, El Salvadori dhe Hondurasi.








All the contents on this site are copyrighted ©.