Impenjim i 200 liderëve fetarë afrikanë për zhvillimin e kontinentit
Liderët fetarë afrikanë impenjohen të vënë në jetë agjendën e zhvillimit pas 2015-tës,
gjatë një takimi në Kampala, kryeqytet i Ugandës. Sipas një komunikate dhënë agjencisë
Fides, rreth 200 prijës të konfesioneve të ndryshme fetare, të pranishme në kontinent
(të krishterë, myslimanë, fe tradicionale afrikane, Baha’i e të tjerë) u zotuan: të
promovojnë paqen e pajtimin ndër vendet në luftë; të nxisin dialogun ndërmjet feve
dhe bashkëpunimin, edhe për të mos lejuar që feja të shkaktojë tensione e dhunë;
të krijojnë mekanizma për t’i përfshirë në zhvillimin afrikan njerëzit më të pafat,
si për shembull, të prekurit nga sëmundja e Sidës. Agjenda e zhvillimit pas 2015-tës
është program i hartuar nga OKB-ja, në vijim të atij, që nisi në vitin 2000, për të
arritur, më 2015, Objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit, në fushën e shëndetësisë,
të edukimit e të zhvillimit ekonomik në vendet më të varfra të botës. Tetë objektivat
janë: çrrënjosja e varfërisë së tepruar dhe e urisë; arsimi fillor universal, promovimi
i barazisë së sekseve dhe i pavarësisë së grave; reduktimi i vdekjeve foshnjore; përmirësimi
i shëndetit të nënës; lufta kundër Sidës, malaries dhe sëmundjeve të tjera; mbrojtja
e ambientit; partneriteti botëror për zhvillim.