2014-07-12 19:18:42

Papa për finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit uron që sporti të favorizojë kulturën e takimit


Kampionati Botëror krijoi kushtet të takohen njerëz të kombeve e të feve të ndryshme. Uroj që sporti të favorizojë gjithnjë kulturën e takimit! Është tweet-i i sotëm i Papës Françesku në faqen e internetit @Pontifex, në prag të ndeshjes përfundimtare Argjentinë-Gjermani, në stadiumin Maracanà të Rio-de-Zhanéjros. E pikërisht fryma e dialogut dhe e paqes ndjehet fort edhe në hashtagun e Këshillit Papnor të Kulturës, #PAUSEforpeace (Ndalesë për paqen). Për këtë nismë origjinale, intervistuam imzot Melchor Sanchez de Toca y Alameda, zëvendës-sekretar i dikasterit e kryetar i seksionit të Kulturës e Sportit:

Përgjigje: - Është nismë e lindur nga disa miq, me rastin e finales së Kampionatit Botëror. Pse të mos përfitohej nga një ngjarje vërtet botërore, kur bota mbarë do të jetë e ngujuar para ekraneve, duke ndjekur ndeshjen, për të kujtuar ca ndeshje të tjera, që duhet të ndalen, e për të marrë një minut frymë lirisht, në paqe.

Pyetje: - Ç’duhet të bëjnë pjesëmarrësit në fushatë?

Përgjigje: - Duhet të mbajnë një minut heshtje para goditjes së parë të topit në ndeshjen përfundimtare. Heshtje simbolike. Për t’i kujtuar mbarë botës se njerëzimi kërkon të heshtin armët, të marrë fund lufta, jo vetëm për një minut, por përgjithnjë. Në pritje të këtij fundi, të bëjmë të paktën një gjest, ta mbajmë një minut heshtje, të lutemi për paqen një minut.

Pyetje: - Ideja e kësaj nisme të kujton heshtjen e armëve gjatë lojërave të lashta…

Përgjigje:- Sporti lindi lidhur me festat fetare. Gjatë festave të mëdha organizoheshin lojëra e heshtnin, të paktën atë çast, luftërat. Këtë e shikojmë pjesërisht tani, kur jemi para finales së një Kampionati të madh, para një ndeshjeje të madhe futbolli, kur mbarë bota paralizohet, për të ndjekur, të paktën për 90 minuta, një ndeshje. Sa mirë do të ishte ta bënim këtë edhe për luftën: nëse do të ndalohej për 90 minuta lufta, do të hapej një shteg për paqen.

Pyetje: - Kardinali Ravazi, kryetar i dikasterit tuaj, e bëri të njohur nismën me një tweet, duke cituar Librin I të Mbretërve: “Pas zjarrit, një puhi fryme të hollë” (1 Mbr 19,12): puhi e lehtë, e heshtur, me kuptimin se Zoti mund të gjindet në heshtje…

Përgjigje: - Figurë tejet e bukur, e lidhur me Elinë profet. Zoti nuk ishte në zhaurimë, Zoti ishte i pranishëm në puhinë e lehtë, në fllad e kështu, në puhinë e lehtë, të heshtur, mund ta gjejmë Zotin. Prandaj ne i ftojmë të gjithë jo vetëm për një minut heshtjeje, por edhe për një lutje të heshtur.

Pyetje: - Kërkoni edhe bashkimin me këtë nismë në Twiter, me një hashtag #PAUSEforpeace, por pikërisht në internet, këto ditë, shumë kanë shprehur pakënaqësinë, duke parë si derdhen lot loje, për fundin e një ndeshjeje në një anë të botës, nësa në anën tjetër, e pikërisht në Lindjen e Mesme, derdhen lot gjaku. Janë kontraste, që të bëjnë të mendosh…

Përgjigje: - Është vetë natyra e futbollit, që të bën të ëndërrosh e të qash, duke të larguar për disa çaste nga realiteti. E kjo ka anën e vet pozitive, sepse të thith në një botë tjetër, atë të lojës, në botën e pasionit: për një çast largohemi nga lodhja e jetës së përditshme. Ndonëse ka edhe anën negative: rrezikun që ta harrojmë vuajtjen e shumë njerëzve, e cila vijon, pa asnjë ndalesë. Nuk mund të sigurohen as 90 minuta harrese. Janë dritë-hijet e një realiteti, si ai i Sportit.

Pyetje: - Uroni që edhe vetë Fifa të organizojë një minut heshtje në fillim të ndeshjes, nesër?

Përgjigje: - Ky është urimi. Ne i dhamë goditjen e parë topit. Shpresojmë të rrotullohet e ta ndjekin pas sa më shumë njerëz vullnetmirë e edhe që Fifa ta bëjë të vetën e ta zyrtarizojë nismën. Bota ka vërtet nevojë për paqe. Në Lindjen e Mesme ndjehet përsëri vringëllima a armëve. Nuk mund të lejojmë të shijohet një festë e bukur, si kjo e futbollit, pa kujtuar edhe shpërthimin e bombave, zinë e vejushave e lotët e jetimëve! E pa u lutur për ta!








All the contents on this site are copyrighted ©.