2014-07-11 14:29:02

Nunci në Jeruzalem: të nevojshme, gjeste të forta për paqen


Shqetësuese, situata në Lindjen e Mesme. Ka arritur në 100, numri i palestinezëve të vrarë. Ndërmjet tyre, shumë fëmijë. Ky, bilanci i tri ditëve të sulmit me raketa izraelite mbi Gazën, ndërsa vijon përgjigjja me të njëjtën gjuhë, në drejtim të Shtetit hebraik. Hidhet poshtë hamendja për armëpushim të mundshëm. Dje, takimi i OKB-së, pa rezultate të prekshme.
“Duhen bërë gjeste të guximshme për paqen” pohon, në mikrofonin tonë, nunci apostolik në Izrael, imzot Lazzarotto:RealAudioMP3

Dje pasdite, në orën 16.00, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me kërkesën e Lidhjes Arabe, diskutoi për shkallëzimin e dhunës ndërmjet izraelitëve e palestinezëve në Rripin e Gazës. Ndeshja ka shkaktuar rreth 100 viktima e, vetëm parmbrëmë, në zonën e Khan Yunis, mbetën të vrarë 5 fëmijë, ndërsa 550 vetë u plagosën. Izraeli njofton se në më pak se tri ditë nga Gaza janë nisur drejtim të kufijve hebraikë, 365 raketa; një, për çdo dhjetë minuta. Disa kanë rënë pranë centralit bërthamor të Dimonës, të tjera, me rreze të gjatë, para Haifës. Në Jabaliya, tre vetë gjetën vdekjen, të goditur nga një raketë izraelite. Ndërkaq Egjipti ka hapur qafën e Rafah për të lehtësuar kalimin e të plagosurve.
Ndërsa diplomacia ndërkombëtare punon për ndalimin e zjarrit, hamendja e armëpushimit hidhet poshtë nga kryeministri izraelit. “Armëpushimi me Hamasin, pohoi Netanyahu para komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit, nuk është në rendin e ditës”. Izraeli siguron se në Rripin e Gazës nuk do të ndërpriten furnizimi me energji elektrike dhe uji. Por kjo nuk e përjashton rrezikun e një sulmi të mundshëm nga toka, ndërsa presidenti palestinez, Abu Mazen, flet për genocid. Sot paradite në Tel Aviv ranë përsëri sirenat, në çastin kur nga Rripi niseshin 100 raketa.
Shumë i shqetësuar, edhe nunci apostolik në Izrael, delegat apostolik në Jeruzalem e Palestinë, imzot Giuseppe Lazzarotto, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Nuk ka dyshim se çasti, që po jetojmë, është i ngarkuar me shqetësim të madh, sepse ajo që ndodhi këto ditë e ngatërron më tej një situatë, të shqetë në vetvete. Ndjehet nevoja e gjykimit të shëndoshë si nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër. Të gjithë duhet ta kuptojnë se gjithçka ka kufi. E kam fjalën kryesisht për politikanët, për ata, që duhet të marrin vendime. Nga ana tjetër, duhet pasur edhe guxim, siç ka thënë Ati i Shenjtë në disa raste e si vijon ta përsërisë: paqja ka nevojë për gjeste guximtare, përndryshe vështirë se zhbllokohet situata e konfliktit, që është vërtet në rrezik të degjenerojë.

Pyetje: - Deklaratat e këtyre orëve janë tejet shqetësuese…

Përgjigje: - Çast shqetësimi të madh, ky, sepse është mbushur kupa e në se vijon kështu, edhe do të derdhet. Nuk duhet kapërcyer kufiri, përndryshe do të jetë tejet i vështirë kthimi mbrapa. Shpresoj se do të ketë shumë vetëdije e edhe shumë ndjesi përgjegjësie nga njëra e nga tjetra palë. Duhet të impenjohemi të gjithë. E përsëris shpesh: këtu ka shumë njerëz vullnetmirë, që e duan paqen. E duan e impenjohen edhe me gjeste konkrete, praktike, si na ka mësuar e vijon të na mësojë Papa Françesku. Si gjesti i madh, që bëri, duke ftuar dy presidentët për t’u lutur së bashku, për të reflektuar së bashku, për të dhënë një mesazh të fortë. Nuk duhet të mendojmë se kjo ngjarje e freskët u harrua kaq shpejt e se nuk shërbeu për asgjë. Nuk është e vërtetë! Ishin gjeste të forta, mesazhe të forta, që u përhapën në mbarë botën. Prandaj duhen pasur mirë parasysh e duhet të shërbejnë si pikë referimi, sepse është pikërisht kjo, rruga ku duhet ecur.

Pyetje: - Ç’mbetet nga ky takim lutjeje?

Përgjigje: - Mbetet admirimi i madh e nderimi i madh për atë që bënë Papa me dy presidentët, së bashku. Mbetet gjesti, që tregon rrugën ku duhet ecur me guxim, edhe pse ajo që po ndodh të duket sikur synon ta shlyejë këtë ngjarje. Nuk është e vërtetë! Nuk duhet të lëshohemi në krahët e pesimizmit e ta lëmë këtë vorbull të tmerrshme dhune, që lind dhunë e konflikte, të na marrë me vete. Besimtarët duhet të kapen fort pas forcës së lutjes.

Pyetje: - Si vepron nunciatura në këtë çast të vështirë me palët izraelite e palestineze?

Përgjigje: - Nunciatura vijon programin e saj normal. Posaçërisht me shumë kontakte, që përpiqem t’i mbaj, natyrisht si me njërën, ashtu edhe me tjetrën palë, në nivele të ndryshme. Takohemi me bashkësitë tona, me drejtuesit e bashkësive fetare, me njerëz të veçantë e edhe me palën politike, duke vijuar kontaktet tona normale me qeverinë. Përpiqemi gjithnjë të inkurajojmë dialogun, mirëkuptimin, të flasim për rrugëzgjidhje, për kërkimin e një udhe paqësore, që i jep fund konfliktit.

Por, a ka rrezik real që në Lindjen e Mesme të shpërthejë lufta, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale? Përgjigjen ia kërkuam Antonio Ferrarit, i dërguar i posaçëm i gazetës italiane “Corriere della Sera”:

Përgjigje: - Rreziku është shumë i madh, edhe pse besoj të jetë hera e parë që situata duket se po del dore. Dikur mund të besohej akoma mbi forcën e arsyes: sot jemi para rrezikut që arsyes t’ia zënë vendin pasionet, nga të dyja palët, e posaçërisht nga ana e Hamasit. Rreziku që gjithçka të rëndohet deri në atë pikë, sa të shkaktojë të pandreqshmen, është më se i prekshëm.

Pyetje: - Fakti se në krahasim me Intifadën e Parë e të Dytë, niveli i dhunës është shumë më i lartë, me sulme ajrore kundër raketave, mund të shkaktojë në bashkësinë ndërkombëtare një farë frike edhe në nivel diplomatik lidhur me mundësinë e ndërhyrjes…
Përgjigje: - Sot situata është pakëz më e ndërlikuar, në krahasim me të kaluarën: me SHBA-të, që nuk kanë shumë dëshirë të ngatërrohen në një gjeratore të re tensioni në Lindjen e Mesme. Por unë besoj se nuk duhet tepruar: Abu Mazen foli për genocid, e të flasësh për genocid kundër Izraelit, më duket fjalë pa vend. Përpjestimet mund të kalojnë nga dhuna, në masakër, për shkak të marrëzisë së njërës palë e përgjigjes së dhunshme të tjetrës. Tani, mbi bazën e gjithsa po ndodh, nuk mund të mos mendoj për mundësinë e një pike kontakti ndërmjet ekstremizmit të Gazës e ngjarjeve jo larg kufijve të Izraelit, posaçërisht në Siri e Irak, ku po veprojnë forca, që bëjnë masakra sistematike mbi civilët, të ashtuquajtur ‘armiq’. Besoj se të gjitha këto ngjarje, në një farë mënyre, nuk mund të mos jenë të lidhura. Prej këndej, besoj edhe se Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i thotë “ndal!” gjithë këtij pështjellimi e të mos rrijë në heshtje, ashtu si po hesht edhe pala amerikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.