2014-07-11 14:28:38

Kardinali Vegliò: turizmi duhet të respektojë turistin e bashkësinë vendase


Më 27 shtatorin e ardhshëm, me temën “Turizmi dhe zhvillimi i përbashkët”, do të kremtohet Dita Botërore e Turizmit, promovuar si çdo vit nga Organizata Botërore e Turizmit. Sot, pikërisht në kohën e pushimeve verore, Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët bëri të njohur mesazhin e tij për këtë ditë, duke vënë në dukje në ç’mënyrë, sipas Selisë së Shenjtë, turizmi mund t’u sjellë të mira e përfitime njerëzve, sidomos bashkësive ku shkojnë turistët.
Në mesazhin, që mban firmën e kryetarit, kardinalit Antonio Maria Vegliò, shpjegohet koncepti i “zhvillimit të përbashkët”, i cili lidhet ngushtë me zhvillimin njerëzor të gjithanshëm, objekt i Doktrinës shoqërore të Kishës Katolike. Analizohen tri fusha, në të cilat edhe turizmi mund të kontribuojë në këtë zhvillim: fusha ekonomike, ajo shoqërore dhe ajo ambientale.
Turizmi, thekson Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, është motorr themelor për zhvillimin ekonomik. Ai përbën 3-5% të Prodhimit të Brendshëm Brut në nivel botëror, siguron nga 7 deri në 8% të vendeve të punës dhe realizon 30% të eksportit global. Prandaj, thuhet në mesazh, ai mund të kontribuojë fuqishëm në uljen e nivelit të varfërisë në zonat më të prapambetura të botës, të cilat, shpesh, janë të pasura me bukuri natyrore. Është thelbësore, vazhdon mesazhi, që të gjithë sektorët të përfitojnë ekonomikisht, e ky përfitim të jetë etik, sepse vetëm kështu turizmi mund të ndikojë pozitivisht mbi përmirësimin e gjendjes së familjeve në shoqërinë lokale. Askush, thekson Këshilli Papnor, nuk mund ta ngrejë mirëqënien e vet mbi shfrytëzimin e të tjerëve.
Ky ndikim nuk mund të reduktohet thjesht në zhvillimin ekonomik. Turizmi, shkruhet në mesazh, sjell edhe pasurimin kulturor, tolerancën, bashkëpunimin ndërmjet enteve publike e private, përmirësimin e kushteve shoqërore të bashkësisë vendase, nxit politika për formimin e të rinjve dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Është e rëndësishme që të gjitha këto të bëhen me pjesëmarrjen e bashkësisë lokale, duke e ftuar turistin jo vetëm të admirojë bukuritë e natyrës, por edhe të dialogojë me vendasit, të njohë traditat dhe mënyrën e tyre të jetesës. Kjo trashëgimi e rëndësishme për bashkësinë lokale u duhet transmetuar edhe brezave të rinj, në mënyrë që të ruhet aftësia tërheqëse turistike e vendit. Këtu, mesazhi vë në dukje rolin e të krishterëve, që duhet të kontribuojnë me artin, traditën, historinë, vlerat e tyre morale e shpirtërore, por sidomos, me fenë e tyre.
Duke cituar Benediktin XVI, Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët u kërkon të krishterëve “ta shndrisin fenomenin e turizmit me doktrinën shoqërore të Kishës, duke promovuar një turizëm etik e të përgjegjshëm, në mënyrë që të respektojë dinjitetin e njerëzve dhe të popujve, të jetë i mundur për të gjithë, i drejtë, i qëndrueshëm dhe ekologjik”. Në këtë fushë, Kisha kontribuon edhe me turizmin e organizuar nga grupe të ndryshme kishtare, jo vetëm në kuadrin e shtegtimeve dhe të përvojave shpirtërore, por edhe në fushën e turizmit “solidar, ose të vullnetariatit”, i cili përfshin ata njerëz, që i shfrytëzojnë pushimet për të bashkëpunuar në projekte kishtare për zhvillimin e vendeve të varfëra.
“Të vetëdijshëm për faktin se misioni i parë i saj është ungjillëzimi – përfundon mesazhin Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët – Kisha dëshiron të japë kontributin e saj të përvuajtur, për t’ju përgjigjur situatës konkrete të popujve, sidomos të më nevojtarëve. Ajo e bën këtë e bindur se ‘ungjillëzojmë edhe kur përpiqemi të përballojmë sfidat e ndryshme që na paraqiten’(Papa Françesku)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.