2014-07-11 13:48:58

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (2)


Vijojmë rrëfimin e Françeskut për Papën, Kishën e Botën, duke nisur nga intervista e tij dhënë gazetës “La Vanguardia”. Sot Françesku, intervistuar nga Henrique Cymerman, flet për sistemin e sotëm ekonomik, që nuk është më i zoti të mbahet në këmbë, për revolucionin, persekutimin e të krishterëve, Lindjen e Mesme, ku vijon ushtrimi i dhunës në emër të Zotit…E jep edhe mendimin e tij, për këtë tragjedi pa fund…. RealAudioMP3
Mendimi i parë, i hidhur, i Papës: “Të bësh revolucion të madh, do të thotë të shkosh deri në rrënjë”
“Skartojmë një brezni të tërë, për të mbrojtur këtë sistem ekonomik, që nuk mbahet më në këmbë”, denoncon Papa në intervistën dhënë gazetës “La Vanguardia”, që del në Barcelonë, në gjuhën katalane e atë spanjolle. Përmes përgjigjeve të tij, dëshmon gjithë guximin e thjeshtësinë e papnisë së tij.

Pyetja e parë e intervistës së gjatë, përmban shqetësimin e natyrshëm të Papës: “A ka vende ku sot të krishterët vijojnë të persekutohen”.

Të krishterët e persekutuar janë shqetësim, që më përket nga afër, si bari i tyre. Di shumë hollësira për këtë persekutim, që nuk më duket e urtë t’i tregoj këtu, për të mos fyer askënd. Por nuk mund të mos kujtoj se ka vende, ku është e ndaluar të kesh Biblën, të japësh mësime katekizmi, të mbartësh një kryq…
Një gjë, por, nuk mund të mos e vë në dukje. Jam i bindur se persekutimi i të krishterëve sot, është më i fortë se në shekujt e parë të jetës së Kishës. Sot ka më shumë të krishterë martirë, se në ato kohë. E nuk është fantazi, e thonë numrat!

Dhuna në emër të Zoti mbretëron në Lindjen e Mesme.

Është kontradiktë. Dhuna në emër të Zotit nuk i përshtatet kohëve tona. Është diçka ne e moçme. Parë në perspektivë historike, duhet thënë se edhe ne, të krishterët, e kemi praktikuar. Kur mendoj për luftën e 30 vjetëve, nuk mund të mos them se kjo ishte dhunë në emër të Zotit. Po sot është e papërfytyrueshme, apo jo? Nganjëherë, përmes fesë, arrijmë në kontradikta tepër serioze, tejet të rënda. Tek fundamentalizmi, për shembull. Në tri fe kemi grupet tona fundamentaliste, të vogla natyrisht, po t’i krahasojmë me shumicën.

Ç’mendoni për këtë?
Një grup fundamentalist, edhe nëse nuk vret askënd, edhe nëse nuk rreh askënd, është i dhunshëm. Struktura mendore e fundamentalizmit, është dhuna në emër të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.