2014-07-10 11:49:03

Sulme izraelite e raketa palestineze: mëse 70 viktima


Rritet shqetësimi ndërkombëtar për zhvillimet dramatike të krizës izraelito-palestineze. Edhe dje, sulme të reja ajrore të forcave hebraike mbi Rripin e Gazës, ndërsa palestinezët qëllonin me raketa territorin izraelit. Dhjetra, viktimat palestineze: mëse 70 të vdekur e rreth 450 të plagosur. Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare impenjohet më shumë për të ndalur dhunën e për ta penguar Izraelin të fillojë sulmin nga toka. RealAudioMP3
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas foli për masakër e genocid dhe kërkoi ndëhmë e mbrojtje nga organizatat ndërkombëtare. Në Gazë, zëdhënësi i Hamasit e kërcënon Izraelin se do të vijnë kohë të vështira për të. Nga ana e tyre, presidenti izraelit Peresh dhe kryeministri Netanijahu paralajmërojnë se do të fillojë operacioni nga toka nëse palestinezët nuk rreshtin së gjuajturi me raketa (234 në dy ditë). Përkrahen menjëherë nga SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca.
Ndërkaq, vendet arabe e myslimane, në veçanti, Egjipti, Jordania dhe Turqia, kërkojnë të ndalen menjëherë sulmet izraelite, gjithsej 590, në këto dy ditë. Presidenti egjiptian jep urdhër të hapet kufiri me Gazën, për kalimin e të plagosurve. Edhe diplomacia ndërkombëtare intensifikon impenjimin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, ka folur në telefon me udhëheqës perëndimorë e arabë, duke i paralajmëruar se gjendja mund të dalë jashtë kontrollit. Një luftë tjetër do të ishte katastrofike për rajonin. Ban Ki-Mun mblodhi sot Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Për këtë shkallëzim tragjik të dhunës, folëm me atë Pierbattista Pizzaball-ën, Rojtar i Tokës Shenjte:

Përgjigje: - Është tragjedi! Urojmë edhe një herë të fitojë gjykimi i shëndoshë, të dalë ndonjë nga liderët e të kërkojë fundin e këtij shkallëzimi, e edhe ta frenojë, sepse sa më shumë të pritet, aq më vështirë do të jetë të bllokohet kjo gjeratore dhune.

Pyetje: - E pra si palestinezët, ashtu edhe izraelitët, e dënuan dhunën, e sidomos, i dënuan ashpër të dyja vrasjet: atë të të rinjve hebrenj një herë e, më pas, atë të të riut palestinez. Mund të themi, prandaj, se nga poshtë pati dënim të fuqishëm, e megjithatë, nuk mjaftoi…

Përgjigje: - Po, e kjo na bëri të shpresojmë se dënimi i njëzëshëm do t’i vinte një pritë të pakapërcyeshme këtij shkallëzimi; ndërsa ata, që i fryjnë zjarrit të urrejtjes, me sa duket, në këtë çast janë më të organizuar e edhe më të mirëpajisur për të ndikuar mbi opinionin publik. Megjithatë urojmë përsëri të fitojë gjykimi i shëndoshë. E di mirë se këto fjalë tingëllojnë pakëz larg nga realiteti, por ç’të themi? Nuk e di ç’mund të thuash në çaste të tilla. S’të mbetet tjetër, veçse të lutesh. Është e vetmja gjë, që mund të bëjmë. E që ka vërtet rëndësi, pas lutjes në Vatikan. Ka rëndësi që drejtuesit e tri feve kryesore të takohen e të bëjnë që të gjithë ta shohin edhe faqen tjetër të Tokës Shenjte, e cila nuk është vetëm faqe dhune. Sot, më shumë se kurrë, ka rëndësi të bëjmë gjeste paqësore, larg çdo tipi të dhunës.

Pyetje: - Lidhja Arabe që dje i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ç’mund të na thoni për hapat e mundshme?
Përgjigje: - OKB-ja, Bashkimi Evropian, Lidhja Arabe, janë të gjitha organizma që, për fat të keq, kanë ndikim të paktë mbi vendimet që merren në Tokën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.