2014-07-10 15:32:30

Karitasi i Milanos: “Kthehet trafiku i prostitucionit të shqiptareve”


Rritet numri i vajzave shqiptare, që dalin si prostituta në rrugët e Milanos. Fatkeqësisht, është njëri nga pasojat e hyrjes së Shqipërisë në zonën Shengen. Vajzat arrijnë lehtë, pa vizë, në Itali, duke e shtuar kështu numrin e femrave të shfrytëzuara nga kriminaliteti i organizuar. Sipas Karitasit milanez, me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duhet parashikuar krijimi i një agjencie kombëtare kundër trafikut të prostitucionit. Folëm me motër Claudia Biondin e Karitasit të Milanos:
Mendoj se meqë është më e lehtë të hysh në Itali, mundësia për prostitucion konsiderohet sërish si potencial. Në fund të fundit, xhiroja e kriminalitetit shqiptar nuk është ulur kurrë: gjithnjë aktiv në tregun e prostitucionit, në trafikun e njerëzve e në atë të drogës. Përsa i përket prostitucionit, në shumë raste kemi parë se organizatorët janë shqiptarë, që kontrollojnë vajza rumune. Tani, me krizën e me lehtësinë për të ardhur në Itali, kthehen në treg vajzat shqiptare, që ishin zëvendësuar me rumunet, sepse mund të dilnin më lehtë nga vendi i tyre.
Ju keni regjistruar një rritje prej 6% në numrin e vajzave shqiptare, që dalin në rrugë e, madje, edhe ndërrimin e shpeshtë të tyre…
Tashmë është prirje, që shihet prej vitesh. Vajzat lëvizin gjithmonë. Ato vetë na tregojnë se qëndrojnë disa muaj këtu, pastaj transferohen në Francë, në Gjermani, në Spanjë, në Hollandë. Ndonjëra prej tyre ka punuar edhe nëpër vitrinat e seksit në Belgjikë, ose në Hollandë. Kush ka mundësi të lëvizë lirisht në vendet e zonës Shengen, sinqerisht, e lehtëson punën e rrjeteve kriminale, që kështu, nuk kanë shumë probleme për të shfrytëzuar femrat.
Shpesh këto gra detyrohen të shesin drogë, apo jo?
Disa prej tyre i përdorin këto helme, sepse jeta e tyre është veçanërisht e vështirë. Ndonjëra prej tyre na ka thënë se edhe e shpërndan.
A ka vajza të mitura ndër to?
Ka. Duken shumë të vogla. Është e qartë se nuk mund të jemi të sigurtë nëse janë të mitura, apo jo. Kur e kemi këtë siguri, thërrasim policinë.
Cila është puna juaj, si Karitas, me këto vajza?
I takojmë në rrugë. Kjo është përpjekje për t’i afruar vajzat, për të krijuar marrëdhënie me to, për t’i pritur me krahë hapur. Kanë nevojë të jashtëzakonshme për njerëz. Veprimtaret e Karitasit tregojnë se nëse nuk e ndërpresin bisedën, vajzat do të vazhdonin edhe për gjysëm ore. Për to, është edhe mënyrë për të pushuar. Ulen në makinën tonë, bisedojnë, pinë diçka e nganjëherë, i zë gjumi. Pastaj, u ofrojmë ndihmë për të dalë nga xhiroja, ose edhe i shoqërojmë për vizita mjekësore. Shpesh s’kanë mundësi të kujdesen për vetveten. Prandaj e kemi këtë shërbim, për t’i dëgjuar. Femrat, që duan të dalin nga rruga e prostitucionit, ose që, gjithsesi, duan të krijojnë marrëdhënie me ne e kanë nevojë për mbështetje, kanë në dispozicion këtë shërbim, i cili është i hapur çdo ditë, me asistentë shoqërorë që i dëgjojnë, i mbështesin e shërbejnë si filtër për hyrjen e tyre në struktura mikpritëse, që mund të jenë tonat, ose të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.