Imzot Shikluna: Papa Françesku vazhdon impenjimin e Kishës kundër abuzimeve
Takimi i Papës Françesku me një grup viktimash të shpërdorimeve seksuale nga ana e
anëtarëve të klerit, të hënën e kaluar, vazhdon të ketë jehonë ndërkombëtare. I kërkuam
një koment ipeshkvit ndihmës të Maltës, imzot Charles Scicluna, i cili, gjatë papnisë
së Benediktit XVI, pati detyrën e promotorit të drejtësisë në Kongregatën për Doktrinën
e Fesë dhe u mor, pikërisht, me luftën kundër abuzimeve me të miturit: Komenti i
përgjithshëm i asaj dite ka të bëjë me dhuratën e fjalës e të dëgjimit. Unë do ta
quaja këtë çast, jo vetëm profetik, por historik në jetën e Kishës, sepse Papa, me
fjalën e tij, na thotë një profeci shumë të fuqishme, që na inkurajon për të ndërtuar
ura dialogu, pajtimi, dëgjimi, me këta vëllezër e motra, që kanë vuajtur shumë për
shkak të abuzimeve nga ana e disa anëtarëve të klerit. Por, gjëja e dytë që dua të
nënvizoj, është koha që Papa ia kushtoi dëgjimit individual të këtyre njerëzve: më
thanë, 30 minuta për secilin. E bëri mirë që ia kushtoi kohën e tij të çmuar një apostullimi
kaq të rëndësishëm. E më ka bërë shumë përshtypje edhe jehona, që pati homelia e meshës
së asaj dite. Papa, që është Pasardhës i Shën Pjetrit, i lutet Zotit që Kisha të ketë
vështrimin e Jezusit për këta vëllezër e motra, viktima të abuzimeve seksuale, por
edhe hirin e vajtimit: jo derdhje lotësh për të bërë teatër, ose për t’i mbushur mendjen
publikut, por për t’i mëshiruar ata, për t’u qëndruar afër në vuajtjen e tyre e sidomos,
për t’u penduar për paaftësinë tonë në mbrojtjen e tyre dhe në denoncimin e shpërdorimeve.
Papa kërkori falje për ata krerë të Kishës, që nuk ditën t’u përgjigjen denoncimeve
për abuzime… Si ipeshkëv, kur lexoj fjalët e Papës, e ndjej se më udhëheq.
Ai nuk udhëheq vetëm grigjën, jo vetëm që mban delen e humbur mbi shpatullat e veta,
por është edhe në krye të ne barinjve. E kjo është bamirësi e madhe, që Papa e ushtron
në mënyrë të shkëlqyer. Ai na bën thirrje të gjithë neve, barinjve, të jemi rojtarë
të grigjës. Jo më kot mbajmë shkopin ipeshkvnor: jo vetëm për të udhëhequr, por edhe
për të goditur ujkun. Ati i Shenjtë na thotë: shikoni mirë e mos e lini ujkun të hyjë
në grigjë e të vrasë delet. Siç thotë shën Augustini, të jesh ipeshkëv është privilegj,
por edhe përgjegjësi e madhe. Madje ai e quan “periculum” (rrezik) për ipeshkvin,
sepse atij që Zoti i jep shumë, edhe do t’i kërkojë shumë. Kjo ditë e këto
fjalë të Papës Françesku janë pjesë e një impenjimi, filluar qëkur nga Selia e Shenjtë,
sidomos nën papninë e Benediktit XVI, apo jo? Për të bërë historikisht, por
adhe faktikisht, lidhjen, mjafton të mendojmë se Papa Françesku përsërit një frazë
shumë të fuqishme të Gjon Palit II, i cili e pati thënë më 23 prill 2002: “Nuk ka
vend në kler për ata, që abuzojnë me fëmijët e të miturit”. Këtë frazë, Ati i Shenjtë
e përsërit në homelinë e 7 korrikut 2014. Gjatë këtyre 12 vjetëve është bërë një rrugë
e gjatë: Gjon Pali II, Benedikti XVI e tani, Papa Françesku. Udhë e filluar nga Papa
i shenjtë Gjon Pali II, i cili kishte si bashkëpunëtor të besueshëm kardinalin Racinger,
që do të bëhet pasardhësi i tij. E tani, Papa Françesku e vazhdon këtë rrugë, edhe
me ndihmën e një Komisioni të ri për mbrojtjen e të miturve, me ekspertë, të cilët
mund t’i japin një dorë Kishës për t’i dhënë përgjigje më të rreptë kësaj tradhtie
të disa eksponentëve të klerit.