2014-07-10 13:45:21

Gjon Pali II, Letra drejtuar familjeve


Në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”, të cilën këto muaj ia kemi kushtuar përgatitjes për Sinodin e familjes, që do të mbahet në tetor në Vatikan, jemi duke lexuar letrën e Shën Gjon Palit II drejtuar familjeve më 1996. Copëza e sotme (n.9) i kushtohet marrëdhënies bashkëshortore si vendi ku realizohet përçimi i jetës, e cila ka të brendashkruar përngjasimin e vetjes njerëzore me Hyjin. RealAudioMP3

Nëpërmjet bashkimit të vetjeve, që realizohet në martesë, burri e gruaja krijojnë familjen. Me familjen lidhet gjenealogjia e çdo njeriu. Atësia dhe amësia njerëzore janë të themeluara në biologjinë, por në të njëjtën kohë edhe e tejkalojnë atë. Apostulli, “duke rënë në gjunj para Atit, prej të cilit merr emër çdo atësi e amësi, në qiell e në tokë”, na shtron para syve tërë botën e qenieve të gjalla, nga qeniet shpirtërore, në qiell, tek qeniet trupore, në tokë. Çdo gjë e lindur e ka modelin fillestar në Atësinë e Hyji. Megjithatë, në rastin e njeriut, kjo përmasë “kozmike” e ngjashmërisë me Hyjin nuk mjafton, për të përkufizuar si duhet marrëdhëniet e atësisë dhe amësisë. Kur nga bashkimi martesor i të dyve lind një njeri i ri, ky mbart me vete në botë një shëmbëllim dhe përngjasim të veçantë me vetë Hyjin: në biologjinë e lindjes gjendet e shkruar gjenealogjia e vetjes njerëzore.
Kur pohojmë se bashkëshortët, si prindër, janë bashkëpunëtorët e Hyjit krijues në ngjizjen dhe lindjen e një qenieje të re njerëzore, nuk e themi vetëm në lidhje me ligjet e biologjisë; duam të nënvizojmë më tepër faktin se në atësinë dhe amësinë njerëzore Hyji vetë është i pranishëm në një mënyrë të ndryshme nga ç’është tek çdo lindje tjetër “në tokë”.
Në të vërtetë, vetëm nga Hyji mund të burojë “ai shëmbëllim dhe përngjasim”, që është veti e qenies njerëzore, ashtu siç ishte në çastin e krijimit. Lindja është vijimi i krijimit.
Kështu, pra, si në ngjizjen, ashtu edhe në lindjen e një njeriu të ri, prindërit gjenden përballë një “misteri të madh” (Ef 5,32). Edhe qenia e re njerëzore, njësoj si prindërit, vjen në jetë si vetje dhe është e thirrur të jetojë “në të vërtetën dhe në dashuri”.
Kjo thirje nuk u drejtohet vetëm për jetën në kohë, por, në Hyjin, hapet drejt amshimit. Kjo është përmasa e gjenealogjisë së vetjes, që Krishti na e ka zbuluar në mënyrë përfundimtare, duke hedhur dritën e Ungjillit të tij mbi jetën e vdekjen njerëzore dhe mbi domethënien e familjes njerëzore.
Siç pohon Koncili, njeriu “në tokë është krijesa e vetme, të cilën Hyji e ka krijuar për veten e vet (për vetë njeriun, domethënë pa një synim të dytë, pra njeriu është qëllim në vetvete dhe jo mjet)” (GS,24). Zanafilla e njeriut nuk u përgjigjet vetëm ligjeve të biologjisë, por vullnetit krijues të Hyjit: vullneti që ka të bëjë me lindjen e bijve dhe bijave të familjeve njerëzore. Hyji “e ka dashur” njeriun që nga fillimi – e Hyji e “do” tek çdo ngjizje dhe lindje njerëzore. Hyji e “do” njeriun si qenie të ngjashme me veten, si vetje. Ky njeri, çdo njeri, është krijuar nga Hyji “për veten e vet”. Kjo vlen për të gjithë, edhe për ata që lindin me ndonjë sëmundje apo mangësi. Në përbërjen personale të çdo njeriu gjendet i shkruar vullneti i Hyjit, i cili dëshiron që njeriu të ketë si qëllim vetveten. Hyji ia dorëzon njeriun vetë njeriut, duke ia besuar krejtësisht familjes dhe shoqërisë, si detyrë të tyren. Prindërit, përballë një qenieje të re njerëzore, kanë, ose duhet të kenë, vetëdijen e plotë se Hyji “e do” këtë njeri “për veten e vet”.
Kjo shprehje sintetike është shumë e pasur dhe e thellë. Që nga çasti i ngjizjes, e pastaj nga çasti i lindjes, qenia e re është e përcaktuar të shprehë në mënyrë të plotë njerëzinë e vet – ta “gjejë veten” si vetje. Kjo ndodh me të gjithë pa përjashtim, edhe me të sëmurët kronikë dhe me aftësi të kufizuara. “Të jetë njeri” është thirrja e tij themelore: “të jetë njeri” sipas dhuratës që ka marrë. Sipas masës së atij “talenti” që është vetë njerëzia dhe, vetëm më pas, sipas masës së talenteve të tjera. Në këtë kuptim Hyji e do çdo njeri “për veten e vet”. Në shestimin e Hyjit, megjithatë, thirrja e njeriut shkon përtej kufijve të kohës. Shkon drejt vullnetit të Atit, zbuluar në Birin e mishëruar: Hyji dëshiron ta bëjë njeriun pjesëtar të vetë jetës së vet hyjnore. Krishti thotë: “Unë erdha që të kenë jetën dhe ta kenë të plotë” (Gjn 10,10).
A nuk është fati përfundimtar i njeriut në kundërshtim me pohimin se Hyji e do njeriun “për veten e vet”? Nëse është krijuar për jetën e pasosur, a jeton vërtet “për vete” njeriu? Kjo është një pyetje-kyç, shumë e rëndësishme, si për lindjen, ashtu edhe për shuarjen e ekzistencës së tij tokësore: është e rëndësishme për tërë rrjedhën e jetës. Mund të duket se Hyji, duke i caktuar njeriut si fat jetën hyjnore, në këtë mënyrë nuk e lejon të ekzistojë “për veten e vet” (GS,24). Çfarë marrëdhënieje ekziston ndërmjet jetës së njeriut dhe pjesëmarrjes në jetën trinitare? Na përgjigjet Agostini me fjalët e famshme: “E trazuar është zemra jonë derisa të pushojë në ty”. Kjo zemër e paqetë tregon se nuk ka aspak kundërshti ndërmjet njërit pikësynim dhe tjetrit, përkundrazi, janë të lidhur, të bashkërënditur dhe thellësisht të bashkuar. Falë lindjes së vet, njeriu, i krijuar në shëmbëllimin dhe përngjasimin e Hyjit, pikërisht duke marrë pjesë në jetën e Tij, ekziston “për veten e vet” dhe realizohet. Përmbajtja e këtij realizimi është plotësia e jetës në Hyjin, ajo për të cilën flet Krishti (khs Gjn6,37-40), i cili na ka shëlbuar pikërisht për të na futur në këtë jetë (khs Mk 10,45).
Bashkëshortët dëshirojnë t’i kenë fëmijët për vete dhe tek ata shohin kurorëzimin e dashurisë së tyre të ndërsjellë. I dëshirojnë për familjen, si dhuratë tejet e çmuar. Kjo dëshirë është deri diku e kuptueshme. Megjithatë, brenda dashurisë bashkëshortore dhe asaj atërore e amtare duhet të brendashkruhet e vërteta mbi njeriun, siç është shprehur në mënyrë sintetike e të saktë nga Koncili, me pohimin se Hyji “e do njeriun për veten e vet”. Vlera njerëzore i nënshtrohet gjithmonë dhe pashmangshmërisht ligjit të kohës dhe të shkatërrueshmërisë. Vlera hyjnore është e amshuar. “Para se të formoheshe në kraharorin e nënës, të njihja – lexohet në Librin e profetit Jeremia –; para se të dilje në dritë, unë të kisha shuguruar” (Jer 1,5). Gjenealogjia e njeriut është e bashkuar me amshimin e Hyjit dhe vetëm më vonë me atësinë dhe amësinë njerëzore, që zbatohen në kohë. Pikërisht në çastin e ngjizjes njeriu është i caktuar për amshimin e Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.