2014-07-09 15:11:31

Transparencë dhe racionalizim i shpenzimeve: fjalët kyçe në kuadrin e ri ekonomik të Selisë së Shenjtë


Transparencë dhe racionalizim i shpenzimeve: këto janë fjalët kyçe në kuadrin e ri ekonomik të Vatikanit. E në to u përqendrua edhe konferenca e sotme për shtyp, gjatë së cilës Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë, kardinali George Pell, njoftoi nisma të reja e të rëndësishme për përmirësimin e administrimit ekonomik të Selisë së Shenjtë dhe të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Këto ndryshime, filluar nga Sekretaria e re për Ekonominë, konsiderohen themelore për të përballuar dobësitë e së kaluarës e për të krijuar një platformë më të mirë në të ardhmen. Ato janë miratuar nga Këshilli për Ekonominë dhe Këshilli i 8 kardinajve, në mbledhjet e tyre të fillimit të korrikut, si edhe nga Ati i Shenjtë. Objektivi është racionalizimi i kostove, por edhe i funksioneve, duke ruajtur rezultatet e larta, nënvizoi kardinali Pell:RealAudioMP3
"Para së gjithash, po punojmë mbi standartet financiare ndërkombëtare, që duhet të ndiqen nga të gjitha dikasteret dhe seksionet e Selisë së Shenjtë dhe Governatoratit. Për momentin, jemi në fazën, në të cilën tregohen qartë drejtimet dhe objektivat, që duam të arrijmë. Kur themi këtë, nënkuptojmë transparencën e plotë. Do të realizohen raporte vjetore e ato do të hartohen nga jashtë”.
Në shtator 2014, Sekretaria për Ekonominë do të fillojë përgatitjen e buxhetit për vitin 2015. Ndryshimet kryesore në kursin e ri ekonomik kanë të bëjnë me APSA-n(Administrimi i Pasurisë së Selisë Apostolike), me Fondin e pensioneve, me mediat e Vatikanit dhe me IOR-in. Përsa u përket mediave të Vatikanit, ndër të cilat edhe radioja jonë, do të bëhen përpjekje për të kursyer, nënvizoi kardinali Pell, por “pa sakrifikuar gamën e pranisë informative”. Qëllimi kryesor mbetet mbërritja e mesazhit të Papës e të Kishës tek një numër gjithnjë e më i madh katolikësh. Në këtë këndvështrim, marrin rëndësi të madhe mediat digjitale.
Ndryshim tjetër kyç përfshin IOR-in (Instituti për Veprat Fetare), apo banka e Vatikanit, siç njihet. Është emëruar presidenti i ri, francezi Jean-Baptiste de Franssu, i cili e quajti “nder të madh të thirresh për të zbatuar ndryshimet, të nevojshme sot për ta shndërruar më tej IOR-in në një furnizues të përkushtuar shërbimesh për Kishën”. E pyetjes se kur do të fillojë zbatimi i strategjisë së re e puna e grupit të ri në krye të IOR-it, iu përgjigj:
“Nuk do të ndodhë nesër, do të na duhen të paktën dy muaj. Do të fillojmë nga IOR-i, me kujdes më të madh për klientët aktualë, për ta zgjeruar pastaj punën tonë në të gjithë pasuritë e Selisë së Shenjtë. Prandaj, është shpejt për të caktuar një datë, por mund të them se strategjia e re do të zbatohet në 24 muajt e ardhshëm”.
U diskutua edhe problemi i pensioneve. Të dëgjojmë zv.koordinatorin e Këshillit për Ekonominë, Joseph Zahra:
“Pensionet, që u paguhen sot të gjithë punonjësve të Selisë së Shenjtë e të Governatoratit, si edhe ato për pensionistët e brezave të ardhshëm, do të jenë të garantuara. E dimë ç’po ndodh në vendet e tjera perëndimore – dhe e nënvizoj këtë pikë, sepse e kam parë vetë situatën në këto vende: shumë prej tyre, gjatë viteve të fundit, po përballojnë beteja jo të vogla në kuadrin e sistemit të pensioneve. E kam ndjekur edhe gjendjen italiane, e cila përbën një prej problemeve kryesore në diskutimet tona”.
Së fundi APSA (Administrimi i Pasurisë së Selisë apostolike), një pjesë e së cilës do të transferohet në Sekretarinë për Ekonominë, ndërsa pjesa tjetër do të luajë rolin e Thesarit të Selisë së Shenjtë dhe të Qytet-Shtetit të Vatikanit, pra do të shndërrohet në një lloj Banke Qendrore.








All the contents on this site are copyrighted ©.