Shkishërimi i mafiozëve: Ipeshkvi i Larinos takon të burgosurit
Më 21 qershor, gjatë vizitës në Cassano të Kalabrisë, Papa Françesku pohoi se “mafiozët
nuk janë të bashkuar me Hyjin, janë të shkishëruar”. Reagimin e parë ndaj fjalëve
të Papës e dhanë të burgosurit e Larinos, ku këtë të dielë ipeshkvi, Imzot Gianfranco
de Luca, kremtoi meshën me ftesë të kapelanit. Ishte pikërisht kapelani ai i cili
njoftoi se të burgosurit kishin pyetur çfarë kuptimi ka të shkojnë në meshë, nëse
janë të çkishëruar. Për takimin me të burgosurit na flet Ipeshkvi i Larinos, Imzot
de Luca: Shkova tek burgu në marrëveshje me kapelanin, sepse më kishte treguar
për shqetësimin e disa të mbyllurve në dhomat e sigurisë së lartë të burgut të Larinos,
pas fjalimit të Papës në ditën e Korpit të Krishtit. Ata e kishin pyetur: “Tani, ne
nuk mund të vijmë më në meshë? A mund ta marrim kungimin, nëse jemi të shkishëruar?”.
U kishin bërë përshtypje fjalët e Papës. Ky shqetësim i tyre më zgjoi interes, më
ngriti shumë pyetje dhe i dhashë gatishmërinë time kapelanit të merrja pjesë në kremtimin
eukaristik, për ta marrë në shqyrtim këtë argument. U përgatita dhe mora nga një kopje
të fjalimit të Papës për të gjithë, sepse ndoshta e kishin dëgjuar nga titujt e gazetave
ose në lajmet e televizorit, por leximi i qetë është i rëndësishëm. Ky është motivi
që më shtyu të shkoja atje. Disa organe të shtypit kanë folur për braktisje
të meshës nga ana e disa të burgosurve të Larinos, madje edhe për kryengritje... Absolutisht
jo. Mua më pritën me gëzim dhe me ndjenja vëllazërore, kur shkova atje. Po, para meshës
i kanë drejtuar disa pyetje kapelanit, sepse në burg ka dy meshë, njëra për të burgosurit
e zakonshëm e tjetra për seksionin e veçantë, sepse këta nuk mund të komunikojnë me
njëri-tjetrin. Para meshës kanë bërë këtë pyetje: “Çfarë është ky shkishërim? Pse?
Çfarë do të thotë për ne?”. Pra, ka pasur një debat, që mund të ketë qenë i ndezur,
por nuk kanë braktisur asnjë meshë. Ndërgjegjja e tyre është trazuar nga fjalët e
Papës e nga njoftimet e mediave. Siç është shprehur Imzot Bregantini, fjalët
e Papës kanë prekur edhe anëtarët e kriminalitetit të organizuar, mafiozët... Sigurisht.
Kjo gjë bëri lajm. Por fatkeqësisht trazimet e zemrës ose të shpirtit ndoshta nuk
bëjnë lajm... Atëherë duhet të gjejnë një tjetër, por lajmi është ky: ajo që thotë
Papa prek zemrat e të gjithëve dhe i vë të gjithë në udhë. Janë të bukura fjalët që
u tha të burgosurve dhe që na i drejton edhe neve: “të gjithë duhet të rikthehemi,
apo jo?”. Sepse të gjithë e ndjejmë ngacmimin e historisë dhe të Ungjillit, që na
thërret. Këto janë fjalët që shqiptoi Papa në rajonin tuaj, në Isernia, gjatë
udhëtimit në Molise... Po, para të burgosurve të Isernias. Në mbrëmje e lexova
fjalimin që kishte mbajtur dhe më pëlqeu shumë. Mesazhi që më dhanë të burgosurit,
për ta sjellë përjashta, ishte mesazh shprese dhe thoshte kështu: “Ne jemi këtu brenda
në ngushticë dhe nganjëherë ndjehemi të plogështuar. Pikërisht atëherë na kap djalli
(kanë përdorur pikërisht këtë term). Por, përjashta dëshirojmë t’ju themi: mos u dorëzoni.
Nëse nuk ia dalim vetë, të shkojmë tek Jezusi”. Këto fjalë m’i tha një i burgosur,
prandaj vura re se ishte në përkim me çfarë kishte thënë Papa, edhe pse ky i burgosur
nuk e kishte lexuar ende fjalimin e Françeskut.