OKB-ja: ‘po!’ mbrojtjes së familjes natyrore. Kundër, BE-ja e SHBA
Përsëri familja në qendër të vëmendjes, në 20 vjetorin e Vitit ndërkombëtar, që i
kushtohet. Më 25 qershorin e kaluar Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të drejtat
e njeriut miratoi rezolutën në favor të familjes, kuptuar si “element natyror themelor
i shoqërisë”. Votimi përfundoi me 26 vota për, 14 kundër e 6 abstenime.
“Familja është
elementi natyror e themelor i shoqërisë” dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria
dhe nga Shteti”. Kështu shkruhet në rezolutën, miratuar nga Këshilli i OKB-së për
të drejtat e njeriut, që përbëhet nga 47 Shtetet anëtare. Të bie në sy fakti se në
favor të rezolutës votuan të gjitha shtetet afrikane e ato arabe, Rusia, Kina e Venezuela.
Kundër, të gjitha shtetet evropiane, ndërmjet të cilave, Italia e SHBA-të, Koreja
e Japonia. Nga vendet latino-amerikane, kundra ishte vetëm Kili. Ç’ kuptim ka një
qëndrim i tillë? Përgjigjen ia kërkuam Carlo Cardia-s, profesor i së drejtës
kishtare pranë Universitetit Roma Tre:
“Është një rezolutë, që përkon plotësisht
me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të 1948-tës. Kjo tregon se familja
është bërthamë natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtë të mbrohet nga
shoqëria e nga Shteti. Ky pohim i 1948-tës u bë për ta mbrojtur familjen nga shtetet
totalitare e nga totalitarizmi dhe u përsërit në Konventën evropiane të të drejtave
të njeriut, në Paktet shoqërore e civile të 1966-tës, në të gjitha Kartat ndërkombëtare.
E kjo duhet të na bëjë të reflektojmë: Evropa, djep i të drejtave të njeriut, voton
kundër të drejtave të njeriut, të vendosura nga Deklarata më e njohur e historisë
së botës”. Gjatë miratimit, në një atmosferë të trazuar, dështuan përpjekjet
e disa vendeve, që synonin të përfshinin në tekst, hapjen e rrugës për forma të ndryshme
të familjes. Për këtë, përsëri, Cardia: “Kur këto shtete u përpoqën të hapin
rrugën që dëshironin, mohuan një nga parimet themelore të individualizmit. Ç’na thotë
kultura individualistike? Lërini të lira edhe tipet e tjera të familjes; ne nuk e
trazojmë familjen tradicionale, janë gjëra të ndryshme, ne duam të afirmohen edhe
të drejta të tjera. Pastaj, shikojmë një realitet të ndryshëm, të kundërt, sepse shkohet
e votohet kundër të drejtave të familjes natyrore…Atëhere do të thotë se kur kërkohen
të drejtat për tipe të tjera familjesh, synohet të rrezikohen e të mohohen të drejtat
e familjes natyrore. Ky është një pyll pa shteg, nga i cili nuk mund të dilet, sepse
kemi të bëjmë me ndeshje në nivelin botëror. Askush nuk e mohon se duhen pranuar të
drejtat e formacioneve të tjera shoqërore, por pa arritur deri atje, sa të mohohen
të drejtat e familjes, që s’është aspak e hijshme të quhet ‘tradicionale’, sepse është
familje natyrore”. Teksti nuk i ngarkon shtetet me asnjë detyrim juridik, por
hap, edhe me një tryezë të rrumbullakët, që do të mbahet në sesionin ardhshëm, debatin
për mënyrat e mbrojtjes së familjes.
Mbi rezolutën e miratuar nga Këshilli
i të drejtave të njeriut i OKB-së, të ndjekim komentin e imzot Silvano Maria Tomasi-t,
vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës:“Në
traditën e krishterë dhe në Doktrinën shoqërore të Kishës, martesa e familja janë
në vijë me të drejtën natyrore; në natyrë familja identifikohet me bashkimin e qëndrueshëm
të një burri me një grua, në perspektivë të lindjes së fëmijëve. Jemi përballë një
udhëkryqi kulturor; nga njëra anë kemi kuptimin e familjes që mund të funksionojë
si unitet e, nga ana tjetër, theksi vihet vetëm mbi individët. Prej këndej, ndërsa
ne, e sidomos Shteti, duhet të jemi të ndjeshëm e të vëmendshëm ndaj të gjitha situatave
që përfshihen në këtë kontekst, duhet ripohuar – e kjo është vlera e Rezolutës që
u miratua në këtë sesion të 26-të të Këshillit për të drejtat e njeriut - rëndësia
që ka për shoqërinë e për të mirën e fëmijëve, në mënyrë të veçantë, por edhe të të
gjithë anëtarëve të familjes, familja si unitet, si qelizë e gjallë e shoqërisë”.