Njihen virtytet heroike të Marcello Candia-s, misionar në Brazil
Papa Françesku priti, më 8 korrik, kardinalin Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës
për Çështjet e Shenjtorëve. Gjatë pritjes, autorizoi dikasterin të shpallë Dekretet
për njohjen e virtyteve heroike të shtatë Shërbëtorëve të Hyjit. Ndërmjet tyre, misionari
shekullar, Marcello Candia.
Marcello Candia, bir i një familjeje të
pasur milaneze, i diplomuar në kimi, farmaci e biologji, e shkriu gjithë jetën në
pyjet braziliane të Amazonës. Krijoi atje një spital, disa qendra për të gërbulurit
e qendra të tjera shëndetësore, organizoi lëvizjen e vullnetariatit, ndërtoi kuvende,
seminare, kisha. Gjon Pali II e takoi më 1980, në strehën për të gërbulur të Maritubës,
ku mjekonte të sëmurët me dashuri të pashoqe, duke pohuar se ishin pjesë e jetës së
tij. Megjithatë, siç ngjet shpesh, kaloi një jetë të trazuar edhe atje, në fund të
botës. Iu desh të provonte shijen e hidhur të armiqësive, zilive, përgojimeve, shpifjeve.
Dhuroi ç’kishte e pastaj u akuzua se vidhte një nga qendrat, që e kishte ngritur në
këmbë ai vetë. Pas një mori infarktesh, zbuloi se kishte kancerin e lëkurës. Vdiq
në Milano, ku kish lindur, më 1983, 76 vjeç. “Nuk jam unë, që jap ndonjë gjë – thoshte
- janë të varfërit, që më japin mua. Nuk jam asgjë. Vetëm mjet i thjeshtë në dorë
të Provanisë”. Gjashtë shërbëtorët e tjerë të Hyjit janë: Portugezi
Antonio Ferreira Viçoso (1787-1875), i Kongregatës së Misioneve e, më pas,
ipeshkëv i Marianës, në Brazil, ku e shkriu gjithë jetën për formimin e meshtarëve,
në një kohë kur autoritetet shtetërore kërkonin ta cënonin pavarësinë e Kishës. Prifti
spanjoll Saturnino López Novoa (1830-1905), bashkëthemelues i Kongregatës
së Motrave të varfra të los Ancianos Desamparados. Meshtari salezian francez Giuseppe
Augusto Arribat (1879-1963). Motër Maria Veronika e Mundimeve të Krishtit,
e Urdhërit të Karmelitaneve të zbathura, themeluese e Institutit të Motrave të Karmelit
Apostolik. E lindur në Kostandinopojë, në një familje anglikane, u kthye në fenë katolike,
e tërhequr posaçërisht nga Eukaristia. Elena da Persico, themeluese e Institutit
Shekullar të Bijave të Mbretëreshës së Apostujve, lindur në Itali më 1869 e vdekur
më 1948.
E, së fundi, Shërbëtorja e Hyjit Gaetana e të Shenjtnueshmit Sakrament,Eprorja e parë e përgjithme e Kongregatës së Bijave të Varfra të Shën Gajtanit;
lindur në Pancalieri (Italia), më 1870 e vdekur më 1935.