Jemi gjithnjë në kapitullin e katërt të Ungjillit sipas Markut, ku Jezusi tregon shëmbëlltyrën
e mbjellësit, i cili “del” dhe e “hedh farën” me bujari anës rrugës, në zall, në ferra
dhe në tokë të mirë. Në vargjet e sotme (14-20) Jezusi shpjegon domethënien e kësaj
shëmbëlltyre. “Mbjellësi mbjell fjalën” (Mk 4,14). Ara e madhe ku mbillet fjala
është njerëzimi mbarë, që nganjëherë ngjan me anën e një rruge të shkelur nga njerëzit,
nganjëherë me zallin e thatë, nganjëherë me tokën e mbuluar me ferra e nganjëherë
me tokën pjellore. Tek ky njerëzim, Hyji ka dërguar Birin e vet, bujkun bujar, i cili
është, në të njëjtën kohë edhe fara, sepse ai është Fjala e bërë njeri. Hyji dëshiron ta begatojë
njeriun me dhuratën e Fjalës. Dëshiron që ajo, si fara, të vdesë brenda njeriut, që
të mbijë e të japë fryte. Në fillimin e Ungjillit sipas Gjonit lexojmë se “Fjala ishte
pranë Hyjit e Fjala ishte Hyji” dhe “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”. Fara dhe fjala,
që Hyji u ka dërguar njerëzve, është Jezusi vetë. Ai u dhurohet me bujari në misterin
e mundimeve, të vdekjes dhe të ringjalljes. Përsëri, në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi
thotë: “Nëse fara e grurit, e rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme; por, nëse vdes,
jep shumë fryt” (Gjn 12,14). Shëmbëlltyra e mbjellësit është shëmbëlltyra e marrëdhënieve
të njeriut me Jezusin. Ai vetë i shpjegon natyrët dhe karakteret e njerëzve tek të
cilët ka ardhur. Jezusi e njeh mirë njeriun: e di se është i tunduar nga satani, i
cili vjen dhe e rrëmben fjalën e mbjellë mbrenda tij; e di se njeriu është “i paqëndrueshëm”
(v.17) dhe zmbrapset përballë mundimeve për shkak të fjalës; e di se gënjehet nga
tundimet e kësaj bote (v. 19), por ai e di dhe beson se njeriu e ka aftësinë për ta
dëgjuar e për ta pranuar fjalën dhe për të dhënë fryte. Tri gjëra bien në sy,
në këtë shëmbëlltyrë: rëndësia e fjalës, që Hyji dëshiron të zërë rrënjë brenda jetës
së njerëzve, për të dhënë frytet e jetës; bujaria me të cilën bujku hyjnor e shpërndan
farën, pa llogaritur fitimet e të mbjellave; njohja e përpiktë e të gjitha sjelljeve
njerëzore kundrejt hirit hyjnor. Shëmbëlltyra e mbjellësit është shëmbëlltyra e ungjillit,
i cili, me anë të shërbesës së Kishës, është fara, që Hyji vijon ta mbjellë me bujari
në arën e njerëzimit, duke korrur frytet e shenjtërisë së njerëzve, herë tridhjetëfish,
herë gjashtëdhjetëfish, herë njëqindfish (v. 20).