2014-07-08 12:55:24

Ipeshkvi kalabrez: masa të rrepta për procesionin me shtatoren e Zojës


Kisha kalabreze është e shqetësuar pas ndalesës së procesionit me Zojen e Hireve para banesës së bosit të ‘ndrangetës’, Peppe Mazzagatti, në arrest shtëpie për arsye shëndetësore. Vetëm dy javë më parë – gjatë vizitës në Kalabri – Papa Françesku kishte nënvizuar me forcë se “mafjozët janë të çkishëruar”. Marshalli i karabinierëve Andrea Marino u largua nga procesioni për të identifikuar përgjegjësit e kësaj ngjarjeje. Për ministrin e brendshëm të Italisë, Angelo Alfano, ky është një ritual i neveritshëm. Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, Imzot Galantino, thotë se Zoja nuk përkulet para mafjozëve. Edhe ipeshkvi i qytetit kalabrez, Imzot Francesco Milito, distancohet nga kjo sjellje dhe premton se do të bëjë hetimet e duhura. Ja si u shpreh në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

U distancova menjëherë dhe e dënoj rreptë atë që ndodhi. Kam marrë përsipër ta hetoj këtë ngjarje, por tani jam duke u nisur për disa veprimtari baritore, prandaj do t’i marr më vonë vendimet e forta, sapo të kryhet vlerësimi i të gjitha elementeve.

Nëse do të vërtetohet çfarë ndodhi, a do të thotë se në Kalabri ka nga ata që nuk e kuptojnë ende mosvlerën e ‘ndrangetës’?

Nuk ka nevojë për vërtetim, sepse ekziston fakti, e mjaft! Nevojiten vetëm elementet për të kuptuar më mirë. Përtej kësaj, qëndrimet e mia në lidhje me këtë argument do të jenë shumë të rrepta. Do të jenë në gjendje të bëjnë të kuptohet se duhet të kujtohemi gjithmonë dhe në mënyrën më absolute se nuk mund të ekzistojnë besëlidhje të asnjëlloji, që shkojnë kundër fesë. Kjo është një pikë e palëkundshme, sido që të jenë traditat atavike, lidhjet që mund të ekzistojnë, interpretimet që mund të jepen.

A keni vënë re, gjatë këtyre viteve të fundit, një rritje të vetëdijes qytetare në Kalabri kundër ‘ndrangetës’?

Unë vërej se shumë njerëz mbajnë qëndrim të hapur kundër saj, edhe sepse disa e paguajnë personalisht. Po punohet për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm. Në disa famulli, në lidhje me këtë pikë, nuk pushohet asnjë çast së punuari: pozitivisht, për të lehtësuar formimin e ndërgjegjes; negativisht, për të kundërshtuar çdo pengesë, disa herë duke paguar për këtë veprimtari edhe ekonomikisht dhe financiarisht. Pra sigurisht ka një rritje të vetëdijes. Por nuk mund të mohohet se përreth e përkrah këtij qëndrimi të palëkundshëm të shumë njerëzve, ekziston ende, për shumë arsye, një lloj heshtjeje, një lloj frike, një mungesë guximi ose një imponim stili, që, sidoqoftë, nuk kanë të bëjnë fare me fenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.