2014-07-07 16:09:48

Papa, një vit pas vizitës në Lampeduzë: të mundet logjika e indiferencës


“Të përkulemi mbi emigrantët, pa llogaritje, pa frikë, me dhimbsuri e mirëkuptim”. Është ftesa që bën Papa në një mesazh, drejtuar kryeipeshkvit të Agrixhentos, imzot Françesko Montenegro, me rastin e kryevjetorit të vizitës së tij në Lampeduzë, ku ishte më 8 korrikun e kaluar. Këtij përkujtimi iu kushtua edhe Mesha, kryesuar dje nga kardinali Antonio Maria Vegliò, kryetar i Këshillit Papnor për Emigrantët, në kishën famullitare të Shën Xherlandit, në Lampeduzë.

Emigrantët, në kërkim të një jete më të mirë e banorët e Lampeduzës, në veprimtari të lavdërueshme solidariteti, janë në qendër të mesazhit të Papës Françesku, dymbëdhjetë muaj pas vizitës në ishull. Pas një viti, kujton Papa, problemi i emigracionit po rëndohet gjithnjë më shumë e tragjedi të reja po luhen me ritëm tronditës. Zemra jonë, vijon Ati i Shenjtë, e ka të vështirë ta pranojë vdekjen e këtyre vëllezërve e motrave, që përballojnë shtegtime kapitëse për të ikur nga dramat, varfëria, luftërat, konfliktet, të cilat shpesh lidhen ngushtë me politikat ndërkombëtare. Kjo tragjedi pa fund nuk mund të përballohet me logjikën e indiferencës, por me atë të mikpritjes e të ndihmës vëllazërore, në emër të dinjitetit të çdo njeriu.
Prej këndej, thirrja e Papës për t’u përkulur mbi njeriun në nevojë, për ta marrë për dore, pa llogaritje, pa frikë, me dhimbsuri e mirëkuptim. Uroj, nënvizon Françesku, që Institucionet kompetente, posaçërisht ato të nivelit evropian, të jenë më guximtare e më bujare në ndihmë të refugjatëve.
Evropës iu drejtua edhe kardinali Antonio Maria Vegliò, gjatë Meshës në Lampeduzë, pasi kujtoi se lampeduzanët ishin krahë të hapur, që rrokën burra e gra, fëmijë e të rinj, të cilët shkelën e vijojnë të shkelin të rraskapitur, pa shpresë e pa strehë, në këto brigje.









All the contents on this site are copyrighted ©.