2014-07-07 16:09:59

Imzot Tomasi: Refugjatët subjekt i së drejtës, jo vetëm objekt ndihmash


Refugjatët dhe të shpërngulurit janë subjekt i të drejtave dhe detyrimeve, si të gjitha qeniet e tjera njerëzore, jo vetëm objekt ndihme”. Kështu u shpreh Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, në fjalën e mbjatur me rastin e seancës së 60-të të Komitetit të përhershëm të Komisariatit të lartë të OKB-së për regugjatët. Pasi kujtoi se aktualisht në botë ka më se 50 milionë vetë në arrati nga shtëpitë e tyre – shifra më e lartë pas Luftës së Dytë botërore – prelati nguli këmbë tek nevoja për të mbrojtur “respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit të njeriut”, sepse “mbrojtja e njerëzve duhet të ketë përparësi kundrejt shqetësimeve të tepruara në lidhje me sigurinë e shtetit”.
Imzot Tomasi bën thirrje të mos mendohet se mikpritja është diçka e kufizuar brenda “sferës private”, përkundrazi, duhet të jetë “pjesë e botës politike, në mënyrë që gjendja të ndryshojë në nivel kombëtar dhe global”. Tema e refugjatëve, vijoi Vëzhguesi i përhershëm, duhet përballuar me “politika kufitare më të zbutura, me procedura më të lehta për marrjen e azilit, me mundësi më të mëdha për kthimin e të shpërngulurve në shtëpitë e tyre”. Veçanërisht në Evropë është “thelbësore një strategji e përbashkët, në mënyrë që vendet, të cilat shërbejnë si destinacion i parë” për refugjatët, të mos lihen vetëm, por të punohet “për një marrëveshje për shpërndarjen e të shpërngulurve në vende të ndryshme, duke mbajtur parasysh gjendejen ekonomike të secilit vend dhe dendësinë e popullsive të ndryshme”.
Duke uruar, më tej, që opinioni publik të edukohet dhe të vetëdijësohet në lidhje me përgjegjësitë e përbashkëta dhe shkaqet e konflikteve, si edhe me kërkimin e zgjidhjeve paqësore”, prelati theksoi rolin që duhet të luajnë bashkësitë fetare, thirrjen e tyre për të “përçuar mesazhin e mëshirës dhe të solidaritetit”, ndihmën që mund të japin me qëllim që “emigrimet e detyrueshme të vështrohen nga një kënd më i gjerë”, “gjithëpërfshirës, koherent dhe përbashkues”, në optikën e “respektit për jetën dhe për dinjitetin njerëzor”, për të zhdukur, kështu, shkaqet e thella të këtyre vuajtjeve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.