2014-07-05 19:20:58

Françesku të rinjve molisanë e abrucezë: jini guximtarë në shpresë e solidaritet


Takimi i parë i pasdites ishte ai me të rinjtë molisanë e abrucezë, në sheshin e Shenjtërores të Zojës së Dhimbshme të Kastelpetrozos. Atmosferë tejet entuziaste, që e nxiti Papën t’u shpjegojë të rinjve pikërisht kuptimin e fjalës entuziazëm, që vjen nga greqishtja e do të thotë të kesh diçka prej Zotit në zemër, ose të jesh në zemër të Zotit:RealAudioMP3

“Hapjani gjithnjë zemrën shpresës me këtë entuziazëm e zgjidhni rrugën, që ju çon në paqe e në realizimin tuaj njerëzor”.
Po ç’do të thotë të gjesh udhën e drejtë? - pyeti Papa - dhe u përgjigj sakaq: “Do të thotë të mos ndalesh kurrë! I riu nuk mund të rrijë pa lëvizur, dëshiron gjithnjë të ecë. Të shkojë drejt diçkaje, sepse duhet lëvizur, por jo si endacak, që sillet e përsillet kot së koti në jetë”. Jeta nuk është bërë për t’u sjellë vërdallë. Është bërë për të ecur, e kjo është sfida juaj, u tha Papa të rinjve.
E në vijim u kujtoi se zemra njerëzore dëshiron punë të mëdha, ëndërron vlera të rëndësishme, kërkon miqësi të thella, mundohet të krijojë lidhje, që provat e jetës i forcojnë e nuk i këpusin. Njeriu dëshiron të dojë e të duhet. Kultura e së përkohshmes nuk e larton lirinë tonë, por na lë pa fatin tonë, pa caqet më të vërteta e të njëmendta. Kjo është jetë e bërë copë e grimë. E trishtuar, të arrish në një farë moshe, të shikosh udhën që ke bërë e të vëresh se është copë-copë, pa unitet, pa asgjë të qëndrueshme, me gjithçka kalimtare…
“Mos lejoni t’jua rrëmbejnë dëshirën për të ndërtuar gjëra të mëdha e të qëndrueshme në jetën tuaj. Kjo të çon përpara. Mos u kënaqni me synime të vogla. Kërkoni lumturinë, kini guxim të dilni nga vetvetja, ta vini plotësisht në lojë ardhmërinë tuaj, së bashku me Jezusin”.
Të vetëm nuk mund ta bëjmë këtë vijoi Papa. Përballë trysnisë së ngjarjeve e të modave, nuk mund t’ia dalim kurrë mbanë ta gjejmë vetë rrugën e drejtë, e edhe po ta gjejmë, nuk do të kemi forcën e nevojshme për të ecur përpara, për të përballuar të përpjetat e pengesat e paparashikuara:
“E këtu dëgjohet ftesa e Jezusit: ‘Nëse dëshiron…eja pas meje’. Na fton, për të na shoqëruar në rrugën tonë, jo për të na shfrytëzuar, jo për të na bërë skllevër, por për të na bërë të lirë”.
Duke besuar në Të, u dha zemër Papa të rinjve, do t’i hidhni rishtas rrjetat për një peshkim të mrekullueshëm e të begatë e do të keni guxim e shpresë për t’i përballuar edhe vështirësitë, pasojë e krizës ekonomike. Guximi e shpresa janë dhanti e të gjithëve, po veçanërisht e të rinjve: “Guxim e shpresë, pra!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.