2014-07-04 16:40:30

U paraqitën në Krakov logoja dhe lutja zyrtare e DBR-së


Në Krakov, kardinali Stanislau Dgjivish paraqiti logon dhe lutjen zyrtare të Ditës së 31-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në qytetin polak, në vitin 2016.
Simbolizmi i logos përfshin shumë elemente të DBR-së, tema e së cilës është shkëputur nga Ungjilli sipas Mateut: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë”. Në qendër është kryqi, domethënë Krishti, zemra e Ditëve Botërore të Rinisë. Nga Kryqi shpërthejnë dy shkëndija, një e kuqe e një e blu në të kaltër. Simbolizojnë rrezet e Mëshirës Hyjnore, gjakun e ujin, që gurruan nga kraharori i Krishtit, si i shikojmë në figurën realizuar sipas rrëfimit të Shën Faustinës Kowalska. Rrezet ngatërrohen me krahët e një të riu të stilizuar, që rrok Kryqin. Logoja ngërthehet në një stemë me formën e Polonisë. Koka e të riut tregon edhe pozitën gjeografike të Krakovit, ndërsa ngjyrat e përdorura: blu, e kuqe e verdhë, të kujtojnë ngjyrat zyrtare të qytetit.

Lutja zyrtare e DBR-së ka tri pjesë:
E para, ia beson çdo njeri, posaçërisht të rinjtë, Mëshirës Hyjnore.
Në pjesën e dytë, i lypet Zotit hiri i një zemre të mëshirshme.
Në të tretën, kërkohet ndërmjetësimi i Virgjërës Mari e i Shën Gjon Palit II, pajtor i DBR-së.
Logo u krijua nga Monika Rybczynska, një e re polake, 28 vjeçe, e diplomuar në shkencat e komunikimit, në Universitetin e Varshavës: e vizatoi logon në Vatikan, menjëherë pas shenjtërimit të Gjon Palit II, si shprehje e falënderimit për ndërmjetësimin në jetën e saj profesionale. Një e re tjetër, grafiste polake, Emilia Pyza, 26 vjeçe, bashkëpunoi në fazën e përsosjes së logos.









All the contents on this site are copyrighted ©.