2014-07-04 16:38:30

Ipeshkvi i Isernias: entuziazëm i madh, në pritje të Papës në Molise


Në Molise, përgatitjet e fundit për vizitën e Papës Françesku, me moton: “Zoti nuk lodhet duke falur”. Nesër Papa do të shkojë në Kampobaso, Kastelpetrozo e Izernia. Gjatë vizitës në dy dioqezat, Ati i Shenjtë do të takojë njerëzit e punës, të sëmurët, të rinjtë, të burgosurit. Posaçërisht interesante etapa e Izernias ku, në vitin 1215, lindi Çelestini V. Këtu Papa do të takohet me qytetarët dhe do të shpallë Vitin Jubilar Çelestinian. Për atmosferën e takimit me Papën Françesku, në mikrofonin tonë, imzot Camillo Cibotti, ipeshkëv i Izernia-Venafros:

Përgjigje: - Natyrisht mund të përfytyrohet entuziazmi. Vendi është i vogël e, prej këndej, ka më shumë zell, më shumë gjallëri, që bëhet pastaj tharm, energji për aktivizimin e të gjithëve, për ta pritur sa më mirë Papën Françesku. E, në vogëlsinë tonë, presim vërtet të na japë guxim për të ecur përpara, të na e gjallërojë shpirtin, të na e ndezë shpresën, t’i japë hov të ri besimit se mund ta ndryshojmë botën, se mund t’i japim fytyrë të re jetës, mund të lëvizim…

Pyetje: - Dy nga çastet më të rëndësishme të etapës së Izernias, janë takimet me të burgosurit e të sëmurët…

Përgjigje: - Natyrisht; e ky është një orientim që Papa po ua jep të gjitha forcave, edhe atyre politike vendase. Orientimin për t’u treguar të vëmendshëm posaçërisht ndaj njerëzve, për të cilët në kohët tona nuk tregohet vëmendja e duhur, për të mos thënë se shpesh nuk tregohet kurrfarë vëmendjeje. Vëmendje e dashuri për më të fundmit, më të ligshtit. E kush është më i fundmë, sesa i burgosuri; më i ligshtë se i sëmuri? Sidomos, duke pasur parasysh se jetojnë në një botë, në të cilën njeriu duhet rivlerësuar, duhet rivlerësuar edhe dinjiteti i tij, në mënyrë që të mund të jetë në qendër të çdo diskutimi, jo vetëm me karakter shoqëor ose shëndetësor, por edhe politik.

Pyetje: - Një nga çastet tjera të rëndësishme të vizitës së Papës në Izernia, është takimi me qytetarët dhe shpallja e Vitit jubuilar çelestinian…
Përgjigje: - Ishte providenciale, sepse ndoshta nuk do të kishim mundur ta realizonim. Me këtë vizitë, Papa e mbështeti nismën tonë, që hasi shumë pengesa në fazën përgatitore. E gjëja më e bukur, që vetëm Provania mund të na e jepte, është se Papa Françesku vjen në Izernia më 5 korrik, pikërisht ditën kur Çelestini zgjidhej papë. Natyrisht flitet për një 5 korrik shumë të largët, atë të vitit 1294. Prej këndej qyteti nuk mund të mos galdojë, ashtu si galdoi në atë vit mesjetar, kur mori lajmin e madh se një prej bijve të tij bëhej papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.