2014-07-04 17:47:26

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (1)


Kush është Françesku: ç’i thotë botës e Shqipërisë? Për ata shqiptarë, që duan të dinë kush është Papa Françesku e pyesin ç’i thotë botës e edhe Shqipërisë, të cilën do ta vizitojë më 21 shtatorin e ardhshëm, zgjodhëm vetë rrëfimet e tij në mjetet e komunikimit, duke nisur nga “La Vanguardia”. Nuk flasin gazetat, për Atin e Shenjtë. Flet vetë Françesku. Tregon kush është, ç’mendon për Zotin e për njeriun, për shqetësimet e mundësitë e njerëzimit në botën e sotme, ku, veç kulturës së hedhurinës, vijon ende persekutimi i të krishterëve.Intervistuesi, Henrique Cymerman, 52 vjeç, hebre i lindur në Porto të Portugalisë, i diplomuar në Universitetin e Tel Avivit (Izrael) në psikologji, shkenca politike dhe sociologji, është korrespondent i njohur i Antena 3 (Portugali) dhe i gazetës spanjolle “La Vanguardia”. Specialist i çështjeve të Lindjes së Mesme, bashkëpunon me kanalin Sic, me BBC dhe me televizionin izraelit. Flet lirisht gjuhën portugeze, spanjolle, frënge, angleze e hebraike. Është autor i një sërë intervistash me prijës të shquar fetarë e politikë, një listë e gjatë emrash, të njohur botërisht: Yitzhak Rabin (intervista e fundit, 24 orë para vrasjes së Presidentit izraelit) Hussein, Mbret i Jordanisë; Yasser Arafat, President palestinez; Ahmed Qurei, Kryeministër palestinez; Mahmoud Abbas, President palestinez; Ahmed Yassin, lider i Hamasit; Abdallah Shami, lider i Xhihadit Islamik të Gazës; Jimmy Carter, President amerikan; Al Gore, zëvendës-President amerikan; Yitzhak Shamir, Kryeministër izraelit. Fryt i gjithë këtyre intervistave është vepra “Voices from the Center of the World: The Arab-Israeli Conflict told by its Protagonists”, botuar më 2009.
Në qershor të vitit 2013, në një takim me Papën Françesku, i propozoi shtegtimin në Tokën Shenjte, (24-26 maj 2014) e më pas, mori pjesë edhe në lutjen për paqe në Vatikan. Papën Françesku e intervistoi pak kohë pas ngjarjes së pashembullt të 8 qershorit 2014, gjatë së cilës Françesku, Peres, Abbas e Bartolomeu u lutën së bashku për paqen në Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Duke ia hapur zemrën intervistuesit, Papa ia hap zemrën jo vetëm mbarë botës katolike, por edhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, që duan të dinë: “Kush është Françesku? Cilat janë mendimet e tij? Shqetësimet? Për njeriun, për botën, për ekonominë, politikën? Ç’të re i sjell Kishës e botës papnia a tij?”.
Intervistë La Vanguardia-s: Intervistoi Henrique Cymerman








All the contents on this site are copyrighted ©.