2014-07-04 16:37:02

Atë Lombardi: punimet e K9 vijojnë me ritëm e hap të qëndrueshëm


Sot, takimi i fundit i mbledhjes së pestë të Këshillit të Kardinajve, që do të vijojë në shtator, dhjetor e shkurt. I bërë K9 (Këshilli i nëntëve) nga pjesëmarrja me të drejta të plota e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, u mblodh me dëshirën e Atit të Shenjtë për ta ndihmuar në drejtimin e Kishës universale si dhe për të studiuar një projekt rishikimi të Kushtetutës Apostolike Pastor Bonus mbi Kurjen Romake. Me gazetarët, në Sallën vatikanase të Shtypit, foli drejtori, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

Këshilli i Kardinajve do të mblidhet rishtas më 15-17 shtator, më 9-11 dhjetor e më 9-11 shkurt. Pra puna vijon me ritëm e hap të qëndrueshëm, tha Atë Lombardi, duke njoftuar se ky takim, që arriti në ditën e tij të pestë, vijoi edhe pasdite. Temat e trajtuara ishin Guvernatorati, Sekretaria e Shtetit dhe Ior-i. Pastaj u fol edhe për dikasteret e, sidomos, për temën “laikët e familja”:
“Pika ineteresante, objekt i bisedimeve, ishte sidomos ndihmesa dhe roli i shekullarëve, bashkëshortëve e grave në këtë kontekst e në këto organizma, ose në këtë organizëm, sipas rrugës që do të ndjekin organizmat a organizmi në realizimin e mëtejshëm të planeve të veta. Tani për tani nuk ka asnjë vendim për format e organizimit a të strukturës, sepse flitet për thellimin e problemeve, që pastaj radhiten në kuadrin më të përgjithshëm të reformës së Kurjes. Pra mund të themi se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim, që ka të bëjë me format e dikasterit a të dikastereve, mbi këto tema”.
U fol edhe për zgjedhjen e nuncave dhe emërimin e ipeshkvijve, gjithnjë duke shkëmbyer opinione. Secili anëtar pati mundësi t’i shprehë lirisht mendimet, duke folur me sinqeritet të plotë e edhe me përzemërsi. Papa mori pjesë në dialog, duke folur me të njëjtën frymë, që karakterizoi gjithë takimet, e duke e orientuar vijimin e bisedës.
“Është e qartë se kemi të bëjmë me një Këshill që paraqet propozime, e pastaj Papa ruan gjithë autoritetin e lirinë e tij për të vendosur”.
Atë Lombardi vërejti se në gjendjen aktuale nuk mund të flitet për ndonjë bocë të Kushetutës së re, por ecet përpara me kontribute të pjesshme, që paraqiten nga njëri prej anëtarëve të Këshillit, i ngarkuar ta thellojë argumentin, e pastaj studiohen së bashku. Puna, pra shkon përpara me kontribute të pjesshme e thellime të veçanta.








All the contents on this site are copyrighted ©.