2014-07-03 16:55:45

Toka Shenjte: thirrje e Patriarkut Tual për falje


“Nuk është e denjë për krerët politikë e fetarë ta mbështesin, ta ushqejnë e ta ngacmojnë hakmarrjen. Hakmarrja kërkon hakmarrje e gjaku, gjak. Ndërsa të rinjtë e pafajshëm, të vrarë, të gjithë të rinjtë e vrarë, janë viktima të flijuara mbi elterët djallëzorë të urrejtjes. Të lutemi për prindërit dhe familjarët e gjithë këtyre të rinjve të flijuar, të rrëmbyer, të mbytur”.
Me këto fjalë Patriarku latin i Jeruzalemit, Fuad Tual, shprehu shqetësimin e tij për vrasjen e 16 vjeçarit palestinez Mohammad Abu Khdeir në kampin e refugjatëve të Shufat. Kufoma e tij, me shenja të dukshme dhune, u gjet nga policia izraelite në një zonë pyjore të Jeruzalemit, pasi familja kishte denoncuar rrëmbimin.
Vrasje e bërë me qëllim, që flet qartë për gjakmarrje, pas rrëmbimit dhe vrasjes së tre të rinjve hebrenj, zhdukur më 12 qershor në Çisjordani e gjetur, edhe ata, kufoma më 30 qershor, pranë Hebronit.
“Vizita e Papës Françesku në Tokën Shenjte e pastaj takimi i lutjes në Vatikan, nënvizon patriarku, ushqyen shumë shpresa të bukura për paqen. Tani, me flijimin e të rinjve të pafajshëm, qerthulli i dhunës, në të cilin jetojmë, duket sikur pohon se nuk e ka ndër mend të heqë dorë nga e vetja. Përkundrazi! Dëshiron të shpërthejë me egërsi edhe më të madhe. Reagim, që kërkon t’i zërë frymën shpresës së brishtë për paqen, në fasha. Prandaj duhet të lutemi, me ngulm, për të kërkuar mrekullinë e paqes. Duke pranuar se urrejtja e mllefi bëjnë keq. Ndërsa paqja e falja u bëjnë mirë të gjithëve.
Jemi popull që jeton prej vitesh nën futa. Popull gjithnjë në zi, deklaroi për agjencinë Fides, imzot Tual, e duhet të çlirohemi nga logjika e mbrapshtë, që bën dallime ndërmjet viktimave të pafajshme të njërës e të tjetrës palë e beson se dhembja e njërit mund të lehtësohet nga dhembja e tjetrit. Vetëm falja ndjell faljen”.









All the contents on this site are copyrighted ©.