2014-07-03 16:45:20

Molise e pret Papën me zemër të re e vlera të lashta


Të shtunën, më 5 korrik, Papa do të shkojë për vizitë baritore në dioqezën e Kampobasos e të Izernies. Ditën, tejet të ngarkuar me veprimtari, do ta hapë takimi i Françeskut me njerëzit e punës e të industrisë, në Universitetin molisan. Do të jetë e pranishme një përfaqësi numerike e punëtorëve, që besojnë se duart nuk mund të lëvizin me fryt, pa përgatitje të frytshme. Duhen bashkuar, prandaj, mendje e duar, për të kërkuar një sistem të ri pune. Ky është parimi bazë i planit, mbi të cilin punëtorët e zonës duan ta bazojnë punën, që Molise të rifillojë zhvillimin me ritme të sigurta e t’i zhdukë kundërshtitë, që nuk mungojnë në këto troje.RealAudioMP3
Popullsia e Molises, 320 mijë banorë, me 137 komuna, ka prodhim të brendshëm brut nga më të lartët në Jug, 21 mijë euro për frymë. E megjithatë, ndjehet një depresion i fortë socio-ekonomik. Shpenzimet për shëndetësinë janë shumë të larta e papunësia në radhët e të rinjve, rreth 30%. Ka, pastaj, të rinj që e kanë humbur fare guximin e shpresën. Prej këndej, i japin fund çdo kërkimi, largohen nga zona ose mbeten gjatë nën vartësinë e familjeve.
Toka, që do të vizitojë Papa, në këndvështrimin e sektorëve prodhues, të gjithë në krizë, dallohet nga zona adriatike, me industri të rëndë dhe agroushqimore të zhvilluar.
Vjen, pastaj, zona përballë Matezes, që krenohet me ‘arin e bardhë’, domethënë, me mocarelat tradicionale e edhe me traditën historike-arkeologjike, lidhur me Sannion. E, së fundi, vjen zona e prodhimit të tekstileve, pranë Izernies, ku artizanati gërshetohet me industrinë e markave të mëdha ndërkombëtare. Këtu zemra është e re, por vlerat, të lashta. Duhet vlerësuar, prandaj, identiteti. Popullsia shpreson se stabilimenti i Fiat-it të Termolit nuk do të mbyllet, por do të përtërihet. Ndjehet edhe nevoja e punës në rrjet, gjë që nuk është aspak e lehtë. Mungon shpesh përgjegjësia, si në jetën publike, ashtu edhe në atë private. E duhet kuptuar se prania e të rinjve në sektorin bujqësor mund të jetë ardhmëria e këtyre trojeve.
Papa pritet këtu si sinjal shprese e bekimi.
Pasdite, pastaj, Ati i Shenjtë do të shkelë në Izernia e do të ndalohet në Shenjtëroren e Kastelpetrozos, ngritur në vendin ku, më 22 mars 1888, të Premten e Madhe, Zoja e Dhimbshme me Birin e vet të vdekur në prehër, iu duk dy bareshave vendase. E pastaj, mrekullia e parë, shërimi i një të riu, që po vdiste nga tuberkulozi. Ishin polakët, që e financuan ndërtimin e shenjtërores, guri i parë i së cilës u vu më 26 shtator 1890. Filloi, pastaj tradita e emigrantëve molisanë. Para se të shtegtonin për të kërkuar punë në Amerikë, ose në veri të Evropës, nisën t’ia besojnë ardhmërinë Pajtores së trojeve të tyre. E pastaj edhe t’i shprehnin, nga larg, mirënjohjen për ndihmën.
Këtu Papa do të takohet me 20 mijë të rinj
Të gjithë urojnë që në këtë vizitë të shndrisë shpresa, të cilën Françesku e predikon jo vetëm me fjalë, por edhe me gjeste, që e kanë bërë aq të afërt e të dashur për të gjithë, besimtarë e jo besimtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.