2014-07-03 16:56:21

Bashkësitë fetare amerikane në mbrojtje të lirisë fetare


Akti për Rivendosjen e Lirisë Fetare (Religious Freedom Restoration Act - RFRA) është “një nga garancitë juridike më jetike të kombit tonë për lirinë fetare dhe për të drejtat e ndërgjegjes së çdo njeriu, çfarëdo feje t’i përkasë”. Për këtë arsye nuk duhet “ndryshuar” apo “shfuqizuar”. Thirrjen e bëjnë udhëheqësit e feve kryesore në Shtetet e Bashkuara – ndër të cilët është edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shteteve të Bashkuara, Imzot Joseph Kurtz – në një letër anëtarëve të Kongresit, në të cilën theksohet rëndësia e ligjit për lirinë fetare, miratuar njëzëri më 1993.
Ligji jep një kornizë normative shumë të përshtatshme, e cila, pohojnë udhëheqësit fetarë, “i mbron të drejtat dhe liritë e individëve të të gjitha feve, përfshirë më të dobëtit”. “Në shtetet e Bashkuara, liria fetare e ka kuptuar gjithmonë dhe duhet ta kuptojë gjithmonë të drejtën për ta jetuar fenë dhe për të vepruar sipas ndërgjegjes edhe përjashta vendit të kultit”, lexohet më tej në letër, ku kujtohet se “për më shumë se dy dekada” ky ligj “i ka mbrojtur amerikanët e të gjitha feve nga presionet e qeverisë”.
Dokumentin e kanë nënshkruar përfaqësuesit e bashkësive baptiste, presbiteriane, aventiste të ditës së shtatë, luterane, hebraike, hindu, budiste etj...
Nesër, me një meshë të udhëhequr nga Kardinali Donald Wuerl në bazilikën kombëtare të Zojës së Papërlyer në Washington, do të mbyllet edicioni i tretë i veprimtarisë “Fortnight for Freedom”, fushata për lirinë fetare e ipeshkvinjve amerikanë, që filloi më 21 qershor. Pesëmbëdhjetë ditë lutje, përsiatje, katekezë dhe shfaqje, për ta nxitur bashkësinë katolike të tërheqë vëmendjen e opinionit publik tek mbrojtja e këtij parimi themelor, gjithnjë e më të kërcënuar sot, nga politikat që kufizojnë të drejtën për të mbajtur bindjet etike dhe fetare në pulik. Tema e këtij edicioni: “Liria për të shërbyer”, dëshiron të nënvizojë lidhjen e ngushtë ndërmjet lirisë fetare dhe shërbimit ndaj të varfërve dhe nevojtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.