2014-07-02 17:16:05

Kishat evropiane: shekullarizimi dhe pakësimi i thirrjeve


Ipeshkvijtë evropianë janë të shqetësuar për rënien e thirrjeve meshtarake e rregulltare në Evropë, e edhe për pakësimin e numrit të besimtarëve të krishterë në Kontinent. Prej këndej, bëhet gjithnjë më i nevojshëm kumtimi i ri i Krishtit, sidomos në mjediset e të rinjve. “Si mund t’i flitet për thirrje meshtarake të riut, që nuk e njeh Krishtin? Vetëm pasi ta kesh kumtuar Zotin, mund të ftosh edhe për të ecur në rrugën e Tij”. Kështu ia paraqet don Michel Remery, zëvendës-sekretar i përgjithshëm i Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee), agjencisë Sir temën e takimit të ipeshkvijve dhe të drejtuesve të punës baritore me thirrjet të Konferencave ipeshkvnore dhe Kongregatave rregulltare, që do t’i fillojë punimet nesër, në Varshavë, për të vijuar deri më 6 korrik.
“Edukimi kristocentrik në shërbim të thirrjeve sot” është titulli i takimit, gjatë të cilit do të ballafaqohen rrugë edukimi e formimi, në të cilat po ecin disa vende evropiane, si Polonisa, Franca, Portogalia e Anglia. Do të flitet edhe për thirrjen e Zotit në botën e sotme, përballë sfidave të shoqërisë së shekullarizuar.
Thelbi i shekullarizimit, shpjegon don Remery, nuk është tjetër, veçse humbja e kuptimit të rëndësisë së Zotit për jetën njerëzore e edhe humbja e afërsisë së Zotit. Prandaj Ccee këtë vit theksoi temën e edukimit të njeriut për ta vënë gjithnjë Krishtin në qendër të jetës. Me vetëdijen se nuk ka asnjë vlerë më të madhe!
Çdo lloj edukimi në shërbim të thirrjeve, vijon përfaqësuesi i Ccee duhet të përqendrohet tek Krishti. Nuk mund as të flitet për thirrje, pa kujtuar Krishtin. Sepse nuk jemi ne, që thërrasim. Është Krishti, që na thërret. Është Ai, që na thotë: “Eja e më ndiq!”. Nuk mund të mohohet fakti se statistikat e thirrjeve për jetë meshtarake e rregulltare në Evropë flasin prej vitesh, kudo, për rënie numerike. A i shqetëson kjo ipeshkvijtë evropianë? Sigurisht i shqetëson, përgjigjet don Remery. Edhe pse rënia është ndjeshme. Rënie e numrit të thirrjeve e edhe e numrit të besimtarëve. Nëse duam t’i ndihmojmë thirrjet, duhet të punojmë për përhapjen e mesazhit të jetës së krishterë në Evropë!
Efekti i Françeskut në këtë drejtim, është ende vështirë të vlerësohet. Vërejmë se Papa e vë gjithnjë më shumë theksin tek jeta e lutjes, tek miqësia personale me Jezusin, tek vëmendja për të tjerët. E kjo, natyrisht, nuk mund të mos ketë ndikim të fuqishëm mbi njerëzit e mbi mënyrën si shikohet thirrja e Zotit, për t’i shërbyer plotësisht Atij e të afërmit. Kam folur me shumë të rinj kohët e fundit, e më kanë pohuar se fjalët e Papës u hyjnë drejt e në zemër.Por nuk duhet harruar se mbetet ndihmesë tepër e rëndësishme edhe shembulli i njerëzve: i priftërinjve, ipeshkvijve, rregulltarëve, murgeshave e familjeve, që e jetojnë thirrjen e tyre me vërtetësi bindëse, me gjithë zemër. Dëshmojnë se janë në përkim të plotë me Krishtin e me thirrjen e tyre. Se e jetojnë atë, që u kërkoi Krishti e që premtuan se do ta jetojnë. Bëhen kështu, burim shumë i rëndësishëm për thirrjet e reja e edhe për besimtarë të rinj!







All the contents on this site are copyrighted ©.