2014-07-02 17:18:25

Imzot Bregantini: banorët e Molises e presin Papën me gëzim


Në rajonin e Molises (Italia jugore) po bëhen përgatitjet e fundit për vizitën e Papës Françesku, të shtunën e ardhshme. Ati i Shenjtë do të shkojë në Campobasso, Castelpetroso e Isernia. Gjatë qëndrimit në këto dy dioqeza, Françesku do të takohet me punëtorët, me të sëmurët, me të rinjtë dhe me të burgosurit. Motoja e vizitës: “Hyji nuk lodhet kurrë së faluri”. Për pritjen e Papës Radio Vatikani intervistoi kryeipeshkvin e Campobasso-Bojanos, Imzot Giancarlo Maria Bregantini:

Aspektet e veçanta janë realitetet e shtatë vendeve ku do të ndalet Papa: mjedisi i punës, qyteti, të sëmurët, të varfrit, të rinjtë, të burgosurit dhe pastaj përshëndetja me Rajonin. Janë shtatë vende të lidhura shumë mirë së bashku dhe shumë të bukur.

Kur mbërrin Papa, popullsia përjeton emocione të thella, veçanërisht besimtarët. Atëherë, çfarë jeni duke bërë gjatë kësaj pritjeje hareplote?

Në Campobasso nuk flitet për tjetër përveçse për këtë vizitë: qyteti është i vogël me 50 mijë banorë. Fusha, ku do të kremtohet mesha, është pothuajse gati, mu në qendër të qytetit, dhe njerëzit e shohin, e shohin tek bëhet gati. Platforma, ku do të vendoset altari, është shumë e bukur, në trajtën e kasolles, për të kujtuar vendndalimet e barinjve gjatë gjithë mijëvjeçarit, në verim, me grigjat... Është shumë e bukur edhe si shëmbëllim biblik. Pastaj edhe përvoja e qytetit është shumë e bukur: po përgatitet, po zbukurohet... Pritja është vërtet e madhe.

Siç e nënvizuat vetë, takimi i Papës Françesku me realitetet më të dobëta të shoqërisë molisane i jep një domethënie të veçantë kësaj vizite – me stilin që jemi mësuar të shohim tek Papa Françeku ...

Ne i kemi kërkuar Zotit tri dhurata për këtë vizitë. I kemi kërkuar të na forcojë fenë në Mëshirën e tij Hyjnore. Fjalën mëshirë Papa e përdor pafundësisht. Pastaj, kulturën e takimit, që të rritet shpresa për t’u ndërthurur. Së fundi, rritjen në dashuri, në mënyrë që të mos hedhim tej askënd. Këto tre objektiva i kemi vendosur në lutjen, që themi çdo ditë, dhe i kemi shkruar, mbi të gjitha, me stilin që dëshirojmë t’i japim kësaj pranie.

Motoja e kësaj vizite: - “Hyji nuk lodhet kurrë së faluri” – ndoshta është çelësi për t’i ndryshuar gjërat në një shoqëri në vështirësi, si e jona, sot?

Po, veçanërisht në lidhje me një temë, që do të jetë kryesorja dhe ndoshta më e nyjëtuara e më e shumëpritura: tema e punës. Nëse në Kalabri Papa mbajti qëndrim kundrejt disa gjërave, këtu duhet të jetë shumë i qartë në lidhje me temën e punës, sepse mugesa e punës sjell skllavëri dhe e bën të ardhmen tonë të pasigurt. Nuk ka dinjitet pa punë. Prandaj, për këtë po lutemi: që Zoti të na ndihmojë të kuptojmë cilat rrugë duhet të ndjekim, për të gjithë të rinjtë e tokës së Molises, por edhe për të gjithë të rinjtë në çdo cep të Tokës.








All the contents on this site are copyrighted ©.