2014-07-01 16:14:50

T’i shikojmë fëmijët e emigrantëve si fëmijët tanë


Dy miliardë dollarë, është shifra, që i kërkoi presidenti amerikan Obama Kongresit, për të përballuar emergjencën e emigracionit në Meksikë. Shqetësuese, prania e më se 60 mijë të miturve të pashoqëruar, që kapërcejnë kufirin amerikan çdo vit, të nxitur nga mjerimi e shpresa për një ardhmëri më të mirë. Fenomen, ky, që ndjehet edhe në Sirinë e tronditur rëndë nga dhuna, prej nga më se 740 mijë fëmijë ikin drejt Libanit e Jordanisë, si dhe në Republikën Qendrafrikane, me 23 mijë të vegjël ravgues në drejtim të Kamerunit. E, për ta ndjerë më thellë një fenomen kaq të dhimbshëm, nuk është nevoja të shkojmë larg. E prekim me dorë çdo ditë në brigjet e Mesdheut e, sidomos, në brigjet italiane, ku shkelën edhe këmbët miturake të fëmijëve shqiptarë, në stinën famëkeqe të gomoneve. Për të përfunduar, pastaj, me dorën e shtrirë për lëmoshë, në udhëkryqet e botës së pasur…
Më gjatë mbi fenomenin dramatik, në mikrofonin tonë, kryetari i shoqatës ‘Miqtë e Fëmijëve’, Marko Griffini:

Përgjigje: - Nga janari 2009, në brigjet italiane kanë arritur më se 6 mijë të mitur të huaj, të pashoqëruar. Kështu nuk kemi fare nevojë të shkojmë deri në kufijtë e kontinentit amerikan, sepse problemi na takon edhe ne, drejtpërdrejt. Jemi në krizë të plotë në këtë fushë. Mjafton të mendojmë se vetëm në katër muajt e këtij viti është arritur numri i përgjithshëm i vitit të kaluar. Problem i mprehtë, ky, që duhet përballuar. Ne, të nesërmen e përmbytjes së madhe të tetorit 2013, pikërisht duke ndjekur fjalët e Papës Françesku, bëmë një thirrje e, mendoni, 1300 familje u përgjigjen, duke hapur dyert për këto fëmijë, që enden pa cak. Po nisma mbeti e kufizuar, për shkak të mungesës së një drejtimi, që mund të sigurojë shtegtim të sigurt nga vende si Siria, Tunisia, Maroku e të tjera, drejtpërdrejt në familjet, që i presin të miturit me zemër e portë të hapur, të gatshme të kujdesen për ta, derisa të mund të rikthehen në familjet e tyre. Duhet pra, një program pune e formimi.Mbi të gjitha, t’i bëjmë vetes pyetjen: ç’do të kishit bërë për fëmijën tuaj, po të ishte në kushtet e këtyre të miturve të tmerruar nga lufta a nga uria, që shkelin në brigje të huaja, ku nuk dinë ç’i pret?








All the contents on this site are copyrighted ©.