2014-07-01 16:16:10

Patriarku Sako: Nuk ka dhunë të qëllimshme kundër të krishterëve


“Për rrëmujën që ka tronditur qytetin e Mosulit dhe Irakun verior, vijojnë të qarkullojnë zëra në lidhje me dhunën dhe dhunimet e ushtruara në mënyrë të qëllimshme kundër të krishterëve. Theksoj edhe një herë se deri tani nuk ka pasur sulme të qëllimshme kundër atyre që mbartin emrin e Krishtit. Të krishterët ndajnë ankthin dhe vuajtjet me vëllezërit e tyre myslimanë. Në fazën në të cilën jetojmë, çdo alarmizëm manipulues ka arsye instrumentale, që në një çast si ky i bën rreziqet edhe më të mëdha”.
Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, Louis Raphael I Sako, i shprehu me këto fjalë rezervat e veta për lajmet e përhapura, sidomos në internet, në lidhje me gjendjen e të krishterëve në zonat e rëna nën kontrollin e kryengritësve sunitë, të udhëhequr nga xhihadistët e Shtetit Islamik të Irakut dhe të Lindjes (Isil).
Për sa i përket të ardhmes së vendit, Patriarku pranon se konfliktet sektare në Irak, bashkë me faktorë të tjerë gjeo-politikë, e paraqesin si të pashmangshme shpërbërjen e njësisë kombëtare. “Fati ynë i detyrueshëm” – deklaroi për agjencinë Fides kreu i Kishës kaldease – “duket se është ndarja. Janë duke u përgatitur për luftë, se kështu do të mund të thonë se nuk ka rrugë tjetër veç ndarjes. Pas kolonializmit, vendet tona janë vizatuar pa asnjë projekt të pranueshëm qytetarie dhe u është dashur të gjenin gjithmonë metoda shtrënguese për t’iu kundërpërgjigjur shtytjeve sektare. Fuqitë perëndimore kanë pasur gjithmonë si kriter të vetëm të politikave të tyre në Lindjen e Mesme mbrojtjen e interesave të veta ekonomike dhe garantimin e sigurisë së Shtetit të Izraelit” – deklaroi patriarku.








All the contents on this site are copyrighted ©.