2014-07-01 16:12:05

Më 28 shtator Papa do të takohet me gjyshat e mbarë botës


Të diel, më 28 shtator, Françesku do të takohet, në Sheshin e Shën Pjetrit, me të moshuarit dhe gjyshat e mbarë botës: takimi organizohet nga Këshilli Papnor për Familjen. I titulluar “Bekimi i jetës së gjatë”, do të hapet në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 9.00, për të arritur kulmin në orën 10.30 me Meshën Shenjte, kryesuar nga Papa.
Regjistrimet për pjesëmarrje dhe njoftimet më të hollësishme u botuan në kanalin e internetit të Dikasterit vatikanas, duke filluar që sot.
Për frymën e nismës, flet organizatori, kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vinçenco Palia: “E organizuam këtë ngjarje, duke u nisur nga mendimi se pleqëria nuk është fund i jetës, por thirrje për një mision të ri, me vlerë. Falë Zotit, jeta po bëhet gjithnjë më e gjatë, vitet e fundme të saj, më të shëndetshme e, megjithatë, kjo temë nuk është prekur asnjëherë me seriozitetin e duhur. Nuk ka as në politikë e as në ekonomi, e aq më pak në kulturë, ndonjë përpjekje të dukshme e të dobishme, jo vetëm për njerëzit në moshë, por edhe e sidomos për dobinë që mund t’i sjellin familjeve të tyre e mbarë shoqërisë, me thesarin e përvojës, fituar në rrjedhë vitesh. Sipas meje, organizimi i kësaj dite do të tërheqë vëmendjen e të gjithëve mbi rëndësinë e stinës së bardhë të jetës njerëzore. Me nënvizimin se të moshuarit nuk janë thjesht njerëz, që kanë nevojë për vëmendje e kujdes, por edhe të aftë për një perspektivë të re të jetës: duhet rimenduar, pleqëria e tyre, prandaj, e duhet rimenduar edhe impenjimi i tyre në botë e në Kishë. E edhe i Kishës për ta. Po sjell vetëm një shembull: përveç misionit tradicional të transmetimit të fesë e të ndihmës që u japin bijve, impenjohen edhe në misione të tjera, njëlloj të rëndësishme, si ai i lutjes, sepse kanë më shumë kohë të lirë, e i komunikimit të Ungjillit, si Ana, Profetesha e Besëlidhjes së Vjetër. Gjithnjë lidhur me moshën e bardhë, veç aspekteve civile, përfundoi imzot Palia, të moshuarit mund të transmetojnë edhe një koncept të ri mbi ligështimin e jetës, që nuk duhet shikuar si akt i fundmë i tragjedisë, por si shpresë për jetën e përtejme, të pasosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.