2014-07-01 16:13:27

Lindje e Mesme: sot funerali i tre të rinjve izraelitë të rrëmbyer. Raketa mbi Gazën


Shteti i Izraelit është në zi, pas gjetjes së trupave pa jetë të tre të rinjve hebrenj, rrëmbyer më 12 qershor, në Çisjordani. Sipas Izraelit, pas ngjarjes dramatike, fshihet dora fundamentaliste e Hamasit. E menjëhershme, raprezalja izraelite kundër bazave të lëvizjes; e vazhdueshme, ndjekja e rrëmbyesve të pandehur, që këputën tri jetë të reja. Sonte, në Çisjordani, ushtarët izraelitë vranë një të ri palestinez, gjatë sulmit me raketa mbi një fshat refugjatësh në Jenin.

Sot paradite mbarë Izraeli mori pjesë, realisht e simbolikisht, në kremtimet e përmortshme të Eyal Yifrach, Naftali Frankel e Gilad Shaer, dy 16 vjeç, i treti, 19. Trupat e tyre pa jetë u gjetën dje pasdite, flakur në një gropë të cekët, hapur me nxitim në një wadi, apo shtrat përroi, ndërmjet fshatrave Beit Khalil e Halhul, pranë qytetit të Hebronit, zonë ku, më 12 qershorin e kaluar, u rrëmbyen të rinjtë e mbytur, ndërsa përshkonin udhën për Betlehem, për t’u kthyer në shtëpi nga shkolla rabinike. Këtu, për 18 ditë me radhë, u bënë kërkime të imta, me impenjimin e më se 2500 njerëzve, shoqëruar me operacione spastrimi në shkallë të gjerë e me qindra arrestime, posaçërisht në radhët e aktivistëve të Hamasit. Pa rezultat, përpjekja për t’i arrestuar dy militantët fundamentalistë, të dyshuar si autorë të krimit, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan gjatë natës. E rreptë, raprezalja izraelite mbi Rripin e Gazës, kryesisht mbi bazat e Hamasit prej të cilave, që të diel, vijojnë të nisen breshëri raketash mbi zonat fqinje të shtetit hebraik.
Ndërkaq, sheshi kryesor i Tel Avivit jetoi një nga netët më të gjata e më të dhimbshme. Me mijëra, pjesëmarrësit, ndërmjet të cilëve, nënat e tre të rinjve dhe presidenti i zgjedhur Reuven Rivlin, ndërsa presidenti në detyrë, Shimon Peres, pohonte: “Mbarë kombi, i prekur thellë, është pushtuar nga dhimbja e papërshkrueshme”. E kryeministri Netanijahu, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave: “Hamasi do ta paguajë tepër shtrenjt!”. Akuzë, kjo, që mori përgjigjen kërcënuese: “Çdo sulm do të hapë portat e ferrit!”.
Lajmi tashmë ka përshkuar udhët e mbarë botës, duke shkaktuar shqetësim të madh për rrezikun e shkallëzimit të tensioneve. Ndërmjet reagimeve të njëzëshme, plot dhimbje e indinjatë, është edhe ai i presidentit të SHBA, Obama: “Akt terrori pa kuptim, kundër të rinjve të pafajshëm” – e quajti këtë ngjarje të re tragjike, që urohet të mos peshojë rëndë mbi ardhmërinë e Lindjes së Mesme.










All the contents on this site are copyrighted ©.