2014-07-01 16:10:38

Deklarata e Atë Federico Lombardit për vrasjen e të rinjve izraelitë


Pikëllim i thellë dhe bashkim me dhimbjen e atyre që janë goditur nga pasojat e urrejtjes. Këto janë ndjenjat e Papës Françesku, pas lajmit për vrasjen e tre të rinjve izraelitë, që ishin deklaruar të humbur. Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federico Lombardi, deklaroi sa vijon:
Lajmi për vrasjen e tre të rinjve izraelitë është lajm i tmerrshëm dhe dramatik. Vrasja e njerëzve të pafajshëm është gjithmonë krim i pështirë dhe i papranueshëm, si edhe pengesë shumë e madhe në udhën drejt asaj paqeje, për të cilën duhet të vijojmë të angazhohemi dhe të lutemi pa u lodhur.
Dhuna kërkon dhunë dhe e ushqen qerthullin vrastar të urrejtjes. Papa Françesku bashkohet me dhimbjen e patregueshme të familjeve të goditura nga kjo dhunë vrastare dhe me dhimbjen e të gjithë njerëzve të prekur nga pasojat e urrejtjes. Ai i lutet Hyjit që t’i frymëzojë të gjithë me mendime të mëshirëshme dhe paqësore.









All the contents on this site are copyrighted ©.