2014-06-30 15:10:13

Papa: sot ka më shumë martirë se në shekujt e parë


Ka më shumë të krishterë të persekutuar sot, sesa kishte në shekujt e parë: këtë pohoi Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, duke kryesuar Meshën e ditës, e cila përkujtonte Martirët e parë të Kishës romake, mbytur mizorisht mbi kodrën e Vatikanit, me urdhër të Neronit, pas zjarrit që shkrumboi Romën, në vitin 64.RealAudioMP3

Lutja në fillim të Meshës kujtonte se Zoti i pëllenoi me gjakun e martirëve filizat e parë të Kishës së Romës. Flitet për rritjen e një bime, pohoi Papa në homeli, e kjo na sjell në mendje fjalët e Jezusit: “Mbretëria e Qiellit është si fara e vogël, që bujku e hedh në tokë e pastaj niset e shkon në shtëpi të vet e, fle a rri zgjuar, fara mugullon e rritet e bëhet Mbretëria e Hyjit, bëhet Kisha, falë forcës së Shpirtit Shenjt e dëshmisë së të krishterëve:
“E dimë se nuk ka zhvillim pa Shpirtin Shenjt: është Ai, që e bën Kishën, Ai që e rrit Kishën, Ai që e mbledh bashkësinë e Kishës. Pa harruar se është e nevojshme edhe dëshmia e të krishterëve. E kur dëshmia arrin në fund, kur rrethanat historike na kërkojnë një dëshmi të fuqishme, atje duken martirët, dëshmitarët më të mëdhenj. Kisha vaditet me gjakun e martirëve. E kjo është bukuria e martirizimit. Nis me dëshmi, ditë për ditë, e mund të përfundojë me kryq, si Jezusi, martiri i parë, i pari dëshmitar besnik: me dëshminë e gjakut”.
Po ka një kusht, për dëshminë. Për të qenë e vërtetë, duhet të jetë pa asnjë kusht:
“E dëgjuam, në Ungjill, atë që i thotë Zotit se dëshiron ta ndjekë, por me një kusht: të shkojë për të përshëndetur a për të varrosur të atin… Zoti e ndalon: ‘Jo!’. Dëshmia është pa asnjë kusht! Duhet të jetë e patundur, duhet të jetë e vendosur, duhet të flasë me atë gjuhë, që është gjuha e Jezusit, i cili thotë: ‘fjala juaj të jetë po, po e jo, jo’. Kjo është gjuha e dëshmisë”.
Sot, vijoi Papa Françesku, shikojmë Kishën e Romës si rritet, e vaditur me gjak martirësh. Por është e drejtë edhe, shtoi, të mendojmë për martirët e shumtë të ditëve tona, shumë martirë, që japin jetën për fenë. Është e vërtetë se kanë qenë të shumtë të krishterët e persektuar në kohën e Neronit, por edhe sot, nënvizoi, nuk janë më të paktë:
“Sot ka shumë martirë në Kishë, shumë të persekutuar. Të mendojmë për Lindjen e Mesme, ku të krishterët duhet të ikin nga persekutimet, për të krishterët e mbytur nga persekutorët. Por edhe për të krishterët e dëbuar në mënyrë elegante, me doreza të bardha: edhe ky është persekutim. Sot në Kishë ka më shumë martirë, sesa kishte në shekujt e parë. E në këtë Meshë, duke i kujtuar paraardhësit tanë të lumnueshëm, këtu, në Romë, të mendojmë edhe për vëllezërit, që jetojnë të persekutuar, që vuajnë e që me gjakun e tyre, vadisin farën e shumë Kishave të vogla, në lindje e rritje. Të lutemi për ta, e edhe për ne!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.