2014-06-30 15:12:09

Papa në Azi: ipeshkvijtë vendas, ngjarje e madhe hiri


“Hera e parë që një Papë merr pjesë në Asian Youth Day - Ditë e rinisë aziatike (Ayd): po i jetojmë me gëzim të madh ditët e përgatitjes të takimit rinor, që do të mbahet më 10 deri më 17 gusht, në Daejon të Koresë së Jugut. Prania e Papës, natyrisht, do të jetë ngjarje e madhe hiri”. E pohon këtë, në një mesazh dërguar Agjencisë Fides, imzot Joel Bylon, ipeshkëv i dioqezës filipine të Legazpit, drejtor i punës baritore me rininë në Zyrën për laikët dhe familjen, pranë Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë.
Papa do t’i takojë të rinjtë e Ayd më 15 gusht e do ta kremtojë meshën përfundimtare të ditës, më 17 gusht. Imzot Bylon shtoi se nuk është e domosdoshme të jesh shtegtar në Ditën rinore, për të fituar hirin, që buron nga ky takim i jashtëzakonshëm. Çdo njeri që pranon shpirtin e Ditës në ndërgjegjen e tij e dëshiron ta bëjë të vetin me devocion bijnor, mesazhin e Papës Françesku, vijon, mund ta jetojë Ditën aziatike të rinisë edhe në kombin e tij, si përvojë thellësisht domethënëse në nivel shpirtëror.
Prelati kujton, në përfundim, se secili nga ne, plak a i ri, është i thirrur të jetë misionar i Ungjillit, të shpallë të vërtetat e fesë dhe të dëshmojë dashurinë e Zotit në botë, siç e nënvizon Papa në nxitjen Evangelii Gaudium. I fton, pastaj, të gjithë, të luten si për suksesin e Ditës, “që të sjellë fryte të begata”, ashtu edhe për vizitën e parë të Papës Françesku në Azi.








All the contents on this site are copyrighted ©.